Veliaj takim me banorët e Astirit: Gënjeshtra me nënkalime i pamë këtu. Saliu dhe Iliri fushatë me dy programe
Nga Lagjja 14, ku u takua sot me banorë të kësaj zone, kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh drejtues i Partisë Socialiste për Qarkun, Erion Veliaj tha se ato që po dëgjojmë në këtë fushatë nga kandidatë të opozitës nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra elektorale. Ai u kujtoi banorëve se ata e kishin mundësinë t’i realizojnë ato që po premtojnë sot, por nuk i bëjnë dot, sepse e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të shkatërrojnë e jo të ndërtojnë.
“Kur shoh taksat e Shkodrës, trefish sa Tirana, shërbimet tre herë më keq se Tirana. Kemi arritur të bëjmë më shumë punë me më pak para, kjo është aftësia e menaxhimit. Meqë këta marrin më shumë taksa në Shkodër dhe kanë vetëm një linjë autobusi, pse nuk e bëjnë falas në Shkodër? A e kuptoni që Saliu dhe Ilir Meta kanë dy programe?! Është një fushatë, por kanë dy programe. Një program është për ata që tashmë i kanë gënjyer. Kjo do të thotë që nuk e premtojnë dot në Shkodër, se në Shkodër i kanë gënjyer njëherë dhe nuk e hanë njerëzi për së dyti. Kurse një program është për ata që duhet me i rrejt. Pra për ata që nuk u kanë dhënë ende besim dhe duhet të thonë gënjeshtra të reja”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendje edhe premtimin tjetër të dhënë nga kandidatët e opozitës për të ndërtuar nënkalim te Sheshi Skënderbej. Po ashtu Veliaj kujtoi gjithashtu edhe faktin se në Astir nuk kishte as ujë dhe banorët furnizoheshin nga puset e Laknasit, ndërsa sot është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit.
“Ne këto gënjeshtra me mbikalime me nënkalime i pamë këtu tek Astiri. Ja këtu i kishim nënkalimet. Po ishin dashnorë nënkalimesh ata na kishin lënë të punonim. A ju kujtohet “Zogu i Zi”? Edi Rama e bëri nënkalimin aty, gjëja e parë që shkatërruan. Dhe në qoftë se doni të dini se çfarë gropash i bëjnë këta qendrës së Tiranës, mjafton të kujtoni gropën e Hajdin Sejdisë që e lanë 30 vjet aty,” u shpreh Veliaj. Sipas tij, “është shumë kollaj sot të thuash me ne fitojnë të gjithë, por kështu thoshte dhe Sudja”. “Kështu thoshte dhe Saliu në ‘97 dhe e pamë çfarë fituam të gjithë. Noc Rrokun fituam të gjithë. Sepse të gjithë dhanë kursimet e tyre, dhanë apartamentet e tyre, dhanë gjithçka që kishin dhe pastaj Sudja mbylli qepenin. Sot Sudja nuk është me fustan, sot Sudja është me pantallona, por janë e njëjta racë”,-shtoi ai.