Veliaj takim përmbyllës në njësinë 5 dhe 10: “Jemi shumë afër fitores për ta zgjuar Tiranën nga gjumi “
NGa Erion Veliaj.
Miqtë e mi, kemi edhe 5 ditë, që ta fitojmë bindshëm Tiranën, ta fitojmë te “Myslim Shyri”, te “Komuna e Parisit”, në Njësinë 10 dhe në Njësinë 5. Jemi shumë afër fitores tonë për ta zgjuar Tiranën nga gjumi dhe t’ia kthyer qytetarëve, për ta kthyer në krye të punëve. Këtu, në Parkun e Liqenit, ne fituam betejën tonë të parë për të ndaluar betonizimin e parkut të liqenit dhe për t’ia kthyer qytetit të Tiranës. Në ditët në vijim ne do të vazhdojmë betejën tonë, jo vetëm për t’u siguruar se nuk do ketë më ndërtime në Parkun e Liqenit, por që të vazhdojmë projektin për gjelbërimin.
Miqtë e mi, në këto ditë kemi takuar shumë njerëz, kemi qenë në çdo rrugë të Njësisë 10, kemi qenë në çdo rrugë të Njësisë 5. Ne ju themi njerëzve se fatin tonë e kemi vetë në dorë dhe me një votë në datën 21 qershor do të shkruajmë fatin tonë dhe të Tiranës në drejtimin e duhur. Miqtë e mi, betonizimin ose gjelbërimin e Parkut të Liqenit e ndan vetëm një votë, vota juaj, vota e secilit prej jush. Parkun Olimpik të Tiranës në zonën e Njësisë 5, nëse realizohet ose jo, e ndan vetëm një votë, vota juaj. Parkun Zoologjik të Tiranës nëse ndërtohet ose rrënohet, e ndan vetëm një votë, vota juaj. Me një votë kemi mundësi të bëjmë Parkun e Liqenit, Parkun Zoologjik, Parkun Olimpik dhe Kopshtin Botanik.
Me një votë kemi mundësi që të vendosim nëse Tirana do të pastrohet apo do rrijë pis. Me një votë e kemi në dorë nëse Tirana do rrijë në terr apo do të ndriçohet. Me një votë e kemi në dorë nëse do të ketë ujë në çezmat e shtëpive tona. E kemi në dorë nëse do hipotekohen 400 pallate apo nëse do vazhdojmë kalvarin e mungesës së hipotekave. Me një votë e kemi në dorë vazhdimin e legalizimeve apo zvarritjen pa fund nga Bashkia e Tiranes.
Miqtë e mi, unë jam në këtë garë për çdo banor të Njësisë 10, për çdo banor të Njësisë 5, për çdo familje që dëshiron të ketë një shkollë ku ka hapësirë për të gjithë, ku nuk detyrohemi të shkojmë në shkollë me dy turne. Jam në këtë garë për çdo prind që dëshiron të ketë një treg ku shërbehet ushqim me cilësi, ku respektohet higjena dhe ku qyteti është pastër. Jam në këtë garë për çdo qytetar të Njësisë 10 dhe të Njësisë 5 që dëshiron të ketë kopësht, që dëshiron të ketë çerdhe. Unë jam në këtë garë që secili prej jush, që të gjithë bashkë, të kemi një Tiranë më të pastër, të kemi një Tiranë më higjenike, të kemi një Tiranë që është në lartësinë e ambicies së secilit prej nesh tek Njësia 10 dhe 5.
Miqtë e mi, kundërshtarët tanë kishin katër vjet për të pastruar Tiranën. Kundërshtarët tanë kishin katër vjet për ta gjelbëruar Tiranën. Kundërshtarët tanë kishin 4 vjet për ta ndriçuar Tiranën. Kundërshtarët tanë kishin katër vjet për të ndërtuar shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Nuk bënë asnjë prej tyre. Ka ardhur koha që t’i kthejmë punën Tiranës, ta kthejmë në shërbim të qytetarëve.
Dua që të ftoj këtu përpara Saimirin, Pandin, të gjithë ekipin tonë, Luanin, të gjithë këshilltarët tanë, ngrini duart lart nëse do të jeni me ne në ditën e fitores. Secili prej jush duhet të marrë një shok, një shoqe, një të afërm, për të konfirmuar se jemi ekipi i fitores dhe do ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. Kjo votë për Aleancën për Shqipërinë Europiane, kjo votë për koalicionin tonë, kjo votë për ekipin që e kthen Tiranën në punë. Ky është momenti ynë, kjo është fitorja jonë e përbashkët. Në datën 21 qershor, pas 5 ditësh, do të zgjohemi në mëngjes, do të marrim të gjithë familjen, miqtë, shokët, për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.