Veliaj takime maratonë në 5 njësi

 

Ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ia rezervoi takimeve me banorë e mbështetës në disa njësi të kryeqytetit, nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e 21 qershorit, si mundësia e vetme për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. Veliaj i falenderoi të gjithë për punën e bërë gjatë këtyre ditëve, si dhe shprehu sigurinë për një fitore të madhe në 21 qershor.

“Dua t’ju falenderoj me gjithë zemër për punën që kemi bërë këto ditë. Nuk ka asnjë dyshim që po i drejtohemi drejt fitores. I gjithë sekreti është sa njerëz do të nxjerrim në votime. Është shumë e rëndësishme të identifikojmë kush janë votuesit për herë të parë dhe t’i ftojmë ata të votojnë. Të ruajmë gjithë këtë energji që kemi pasur këto ditë, për të korrur një fitore spektakolare që ta mbajë mend gjithë Tirana, 24 me 0”, u shpreh Veliaj në takimin me qytetarë dhe mbështetës të njësisë 9, i shoqëruar nga ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe deputeti i PS, Sadri Abazi.

Më pas, ai ka zhvilluar një takim edhe me banorë të njësisë 3 në Tiranë, ku gjatë këtij takimi ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla: “Kjo ka qenë ndoshta fushata më e shkurtër, por edhe më intensive që kemi pasur ndonjëherë. I gjithë sekreti i fitores do të jetë sa vetë do të dalin në votime. Votat i kemi, opinioni publik është pro nesh, ju uroj të gjithëve kurajë. Jemi partia më e madhe dhe garën e kemi me veten tonë”, tha kandidati Veliaj.

Ndërkohë, në njësinë 6, në zonën e Sharrës, Veliaj shoqërohej nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u shpreh se Tiranës i duhet një njeri energjik, që do t’i japë drejtim punëve të kryqytetit. “Unë besoj se Erion Veliaj, së bashku me ne, ka për të bërë më të mirën edhe për këtë zonë. Por, që të arrijmë deri atje, në datën 21 duhet të marrim një fitore që na bën edhe më të fortë. Kështu që, flisni me këdo mundeni dhe këto pak orë që kanë mbetur, bëni punë maksimale për t’i dhënë drejtimin e duhur edhe kësaj zone”, tha Tahiri.

Në fjalën e tij, kandidati Veliaj u fokusua te problematika e zonës, duke e vënë theksin te fakti se në Sharrë vazhdojnë të digjen ende mbeturinat dhe se mungojnë investimet. “Më vjen keq që Sharra ka mbetur sinonim i diçkaje me të cilën s’do të merret njeri. Ne kemi vendosur që me votën e 21 qershorit ta ndryshojmë këtë. Së pari, landfilli i Sharrës nuk do të jetë një vend ku digjen mbeturinat, por do të shkojmë drejt procesit të riciklimi. Duam që t’i bashkohemi punëve të mira që ka bërë minibashkia, por tani edhe me fuqinë e bashkisë, për të shtruar rrugët, për të sjellë ndriçimin dhe për të sistemuar historinë e varrezave”, tha ai.

Gjatë pasdites, Veliaj zhvilloi takime edhe me banorë të njësisë 4 dhe njësisë 1 në Tiranë, ku u njoh me problematikën e këtyre zonave, por edhe bëri thirrje për dalje masive në votime në 21 qershor.

SHKARKO APP