Veliaj tallet me zërat se ai dhe Rama janë në konflikt: Deklarata që bëhen nga njerëz të lodhur
Kryebashkiaku Erion Veliaj mban premtimin për 199 familje që u strehuan sot në lagjen më të re në Tiranë, atë të Zall Herrit. Veliaj tha se pavarësisht fjalëve që thuhen, Bashkia Tiranë dhe qeveria shqiptare do të vijojnë punët për ta bërë Tiranën një “Zonjë” dhe Shqipërinë moderne.
“Ka shumë nga ata njerëz “të lodhur”, njerëz që e kanë shpresën e tyre që kryetari i bashkisë dhe kryeministri do të hyjnë në një konflikt dhe do ju dhurojnë atyre pushtetin, njerëzve që e kanë pasur në fakt pushtetin, që e kanë pasur në dorë Tiranën, që e kanë pasur në dorë Zall-Herrin edhe nuk e di dhe sa herë duhet të luten edhe sa kallo duhet të kenë në gjunjët e tyre që të luten që unë një ditë dhe kryeministri nuk do të shkojmë mirë, shanset janë zero presje hiç që kjo të ndodhë.
Për të gjithë ata që luten që ne të kemi një konflikt të madh, dua t ju them këtë. Bashkia e Tiranës dhe qeveria po diskutojnë se si nga një situatë ku në kishim një nga 10 ndërtime në paligjshmëri, në situatën që kemi sot, një në 10 mijë ndërtime në paligjshmëri, si të adresojmë dhe ato pak raste që kemi.
Kush uron dhe kush mendon që në këtë përpjekje që ne kemi për ta bërë Tiranën zonjë dhe për ta bërë Shqipërinë moderne, ne do të kemi konflikte, inate dhe përçarje duhet ta harrojnë. Probabiliteti është zero presje hiç”, u shpreh Veliaj.