Veliaj te Njësia 5: Ata që sot janë kundër zhvillimit të qytetit, dje lejuan ndërtimet pa leje dhe zaptuan çdo hapësirë publike
Nga Njësia 5, ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e zonës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ata që sot janë kundër të ardhurve në Tiranë, kundër zhvillimit të qytetit dhe kundër ndërtimeve, janë po ata që lejuan zaptimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje kudo.
“Tani që ka afruar fushata, fillojnë këto muhabetet ‘kush është i ardhur, kush është vendali’. Janë muhabete pa lidhje në një qytet ku 90% e njerëzve kanë ardhur nga diku tjetër. Dhe këta që i mëshojnë kësaj, janë po ata që në vitet ’90, kur drejtonin Tiranën, lejuan në mënyrë fyese ndërtime pa kriter kudo. Hapësirat që ziheshin nuk ishin hapësirat ku dikush i kishte dalë zot, ziheshin hapësirat e përbashkëta. Pra, një sheshpushim brenda pallatit, një hapësirë e Bashkisë apo një hapësirë publike”, kujtoi Veliaj.
“Kur erdhëm në administratën e Bashkisë së Tiranës, ishte e gjitha e pushtuar me kioska, nga këta që thonë: ‘betoni, betoni, betoni’. Është tjetër gjë të ndërtohet hotel “Marriott” – dhe unë jam shumë krenar për atë lloj betony sepse s’mund të jemi Kryeqyteti i Rinisë dhe Qyteti i Sportit, pa pasur hotele me 5 yje, siç na u desh për Samitin e BE-së. Pra, ne duam të jemi edhe më të mirët, por mos të kemi fare infrastrukturë! Njerëzit nuk flenë nëpër lulishte! Në qoftë se duam turistë, na duhen këto hotele dhe hapësira që akomodojnë qindra e mijëra turistë. Por, ajo që më vjen keq është se s’ka pikë reflektimi nga këta që kanë administruar bashkinë në ato vite dhe shkollat i zaptuan ose me kioska, ose i bënë gati për pallate”, nënvizoi Veliaj.
Ai tha se prona në Tiranë është rritur deri në tre herë më shumë. “Është e pashmangshme që do ketë pallate edhe për ata që marrin kredi të butë, do ketë pallate edhe për të pasurit, edhe për të huajt që duan të jetojnë në Tiranë. Dikush reklamonte se në zonën e hyrjes së Liqenit, nga Filologjiku, shitej apartament në pallat me 3 mijë euro m2. Nga njëra anë, ky është lajm i mirë sepse prona është rritur për të gjithë, si për të majtët, si për të djathtët – është rritur rreth 2.5-3 herë më shumë në Tiranë, se të gjithë janë pasuruar, edhe ata që i shajnë ndërtimet – por, pyetja është: A e kemi luksin që, pas orës 13:00, shkolla “Petro Nini” ose “Samiu” ta mbyllin palestrën, në një vend ku prona vlen kaq shumë? Ajo që kemi bërë është që çdo palestër e kemi lidhur me një shoqatë volejbolli ose basketbolli, ku stërbiten fëmijët pas mësimit”, theksoi Veliaj.
Ai apeloi edhe për çdo kundërshtar që të reflektojë dhe të mos bllokojë qytetin për inate politike.