Veliaj: Tirana do vijojë të shkëlqejë. Saliu dogji shtëpinë e tij, imagjinoni ç’mund t’i bënte Tiranës

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 Majit, nuk duhet të ndikojë në punën e përditshme të Bashkisë së Tiranës. Kjo ishte porosia e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili zhvilloi një takim falënderues me punonjësit e institucionit të bashkisë, para hyrjes zyrtarisht në fushatë.

Veliaj shprehu vlerësimin maksimal për stafin dhe bashkëpunëtorët e tij, pa të cilët – tha ai – Tirana nuk do kishte pësuar transformimin e sotëm. “Porosia e parë është që puna duhet të vazhdojë, shërbimi ndaj qytetarëve duhet të vazhdojë, Tirana duhet të jetë çdo ditë xixë, siç ka qenë këto vite. Tirana duhet të shkëlqejë dhe ne duhet të vazhdojmë shërbimin ndaj qytetarëve. Duhet të sigurohemi që pikërisht se është fushata, nuk duhet ulur ritmi sepse nuk do të doja kurrë që njerëzit ta lidhnin suksesin e Tiranës, suksesin e Bashkisë së Tiranës, me praninë time fizike në çdo veprimtari të qytetit. Madje, merita e kësaj skuadre është se e vazhdon punën me profesionalizëm, pavarësisht se ku është drejtuesi politik i skuadrës së Bashkisë së Tiranës dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë edhe kësaj here”, deklaroi Veliaj.

Nga ana tjetër, ai shtoi se ndihet i keqardhur pasi një pjesë e akuzave politike drejtuar atij, kanë prekur padrejtësisht edhe ata që punojnë në Bashkinë e Tiranës.

“E di që kush punon me mua, ashtu siç merr edhe energjinë dhe pozitivitetin, merr edhe disa nga ciflat e baltës, nga të sharat e pamerituara. E di që, për zonjat që janë këtu, jeni nëna e dikujt, jeni vajza e dikujt, jeni bashkëshortja e dikujt, jeni bija e dikujt, e imagjinoj se çfarë ndodh në familjen tuaj kur diskutohen dhe kur dëgjoni atë lumin e të sharave, kështu që do të doja, së pari, t’ju kërkoj ndjesë për çdo shqetësim që ju kam krijuar, sepse besoj e keni të qartë, nuk e kanë me ju, e kanë me mua. Prej meje edhe ju hani disa nga ciflat e baltës dhe do të doja që ta kuptonit këtë”, tha Veliaj, duke shtuar se, “ky është një vend që mbetet ende toksik në politikë”.

SHKARKO APP