Veliaj: Tirana në ditët e saj më të mira. Premtimet e çiftit Berisha-Meta, gënjeshtrat e radhës

Në vijim të turit të gjelbër në kryeqytet, kandidati i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj u ndal në Njësinë 8, ku bisedoi dhe mbolli disa pemë me banorët. Veliaj tha se sot Tirana po jeton në ditët e saj më të mira dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të shkojë mbrapa.

“Kur ne e shikojmë hapjen si mundësi, si rritje e vlerës së pronës, si mundësi për më shumë ekonomi, për më shumë biznes, për më shumë sipërmarrje, për më shumë shkëmbim me njëri-tjetrin, atëherë hapja sjell zhvillim. Sot, Tirana po jeton ditët e veta më të mira, jo se ka përjashtuar njerëzit, por se i ka afruar njerëzit. Ishte një kohë e piramidave, ku të gjithë thoshin, Sudja: Me ne fitojnë të gjithë! Xhaferri: Me ne fitojnë të gjithë! Populli: Me ne fitojnë të gjithë! Vehbiu: Me ne fitojnë të gjithë! Dhe në fakt humbëm të gjithë.

Se të gjithë çuan shtëpitë e tyre, kursimet e tyre, pasurinë e tyre, në atë që shteti në atë kohë e thoshte: “Me ne fitojnë të gjithë!”. Dhe po të shikoni janë po ata sot, po ata të Sudes. Sudja s’është më me fustan, është me pantallona, thotë çdo gjë falas, “me ne fitojnë të gjithë” dhe pyetja është: Po ju e kishit në dorë, e patë çfarë morëm falas kur bëmë gabim me votë dhe në 2011-2015, nuk vazhdoi të drejtonte Edi Rama me Mimin dhe me skuadrën në Bashkinë e Tiranës? E mbani mend tortën, “torta e Pavarësisë” ishte falas. Më shumë bëri dëm e shkaktoi turp, sesa ushqeu njerëz dhe hapi perspektiva”, tha Veliaj.

Për premtimet e kundërshtarëve politikë për nënkalime dhe për gjëra falas, Veliaj tha se s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtrat e radhës. Kryebashkiaku bëri një krahasim dhe një llogari të thjeshtë të Tiranës me Shkodrën, që Partia Demokratike e ka dhe s’po bën asgjë falas, pavarësisht se mundësitë i ka.

“Unë besoja se Shkodra realisht nuk ka financa. Mendoja se duhet të ketë taksa të ulëta, qoftë edhe për këtë karshillëkun me të majtën, rrezik i ka shumë të ulëta. Se me demek pro biznes, shteti i vogël. Por kur verifikova taksat e Shkodrës, ato ishin 7 mijë e 80 lekë. Taksat e Tiranës janë 1 mijë lekë për pastrimin, pra një kafe për pastrimin dhe 1 mijë e 500 lekë për ndërtimin e shkollave, që ka qenë gjithmonë taksë, edhe në kohë të Lulit, por ka qenë si taksë e gjelbërimit, sepse atëherë nevoja për gjelbërim ishte më e madhe.

Dhe çfarë ndodh? 100 dhe 150 lekë, 250. Ata 708, ose me të vjetra 2 mijë e 5 qind lekë, me 7 mijë e 80 lekë. Pra taksat e tyre thuajse sa 3-fishi i Tiranës. Shkodra një linjë autobusi ka vajtje-ardhje, shko beje falas. Po çështja është që duhet të kesh mbaruar gjimnazin për të bërë këto llogari. Se po na dalin që, ca prej këtyre s’kanë as diplomë gjimnazi, imagjino. Dhe s’ka asnjë gjë të keqe, se ka plot që s’kanë mbaruar gjimnazin. Por këta janë si ata që mbasi kanë mbaruar masterin thonë: “Ore, qenka kaq kollaj për masterin, sa po mbaroj edhe shkollën e mesme.” Kjo është edhe për të qeshur, edhe për të qarë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP