Veliaj: Tirana refuzoi të dalë në protestë, PS-ja u shërben të gjithëve njësoj
Kryetari i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj ka komentuar protestën madhështore që mbajti dje Sali Berisha, për të cilën ai thotë se Tirana e braktisi. Nga Kombinati, në një takim me strukturat e PS në Njësinë 6, Veliaj theksoi edhe se në pamundësi për të mbushur sheshet me njerëz, opozita solli në Tiranë autobusë bosh.
“Kur shikon protestën e tyre të mbushur me ekrane led, si të ishte koncerti i Dua Lipës, harron kush është në opozitë. Por, ata vijnë nga Gjiri i Lalzit, vizitojnë Tiranën për protestë dhe sigurisht, do të kthehen sërish në Gjirin e Lalzit. Të vetmit që gënjehen janë qytetarët që vijnë nga rrethet në Tiranë me autobusë gjysmë bosh”, tha Veliaj. Ai ironizoi edhe deklaratat e PD, që bënin thirrje për pjesëmarrje në protestë.
“E patë atë dhëndrin tonë që kemi në PD? Kur e panë se nuk kishte dalë njeri nga Tirana, doli t’u bënte një thirrje të fundit. Tha: Të çohemi ne tironsit, se Sahati i Tiranës është mbushur me hotele me 5 yje. A thua se kjo është gjë e keqe! Edhe e thonë këta që u ngeci ora 4 vjet. Kur Partia Demokratike dhe LSI-ja drejtonte Tiranën, Sahati i Tiranës nuk punoi 4 vjet. Kur ty të ngec edhe ora e qytetit, simbolika më e madhe ritmit që duhet të kapim, është turp i madh”, u shpreh ai.
Veliaj deklaroi se Tirana e braktisi opozitën në protestë, pasi puna e bërë gjatë këtyre viteve tregon qartë diferencën mes dy forcave. Sipas tij, Kombinati jo vetëm që nuk e vuan më problemin e djegies së plehrave në Sharrë, por Tirana ka edhe 40 shkolla të reja. Teksa bëri krahasim mes opozitës dhe mazhorancës, Veliaj solli në vëmendje 21 janarin, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë në Bulevard. Ai u shpreh se kur qeveris PS-ja, nuk preket asnjë protestues.
“Qartazi kriminelët kthehen në vendin e krimit, se nuk e harrojnë dot 21 janarin. Nuk e harrojmë as ne! Është mirë të kujtojnë se janë në rrugën që mbushën me gjak, duke vrarë njerëz. Duhet të kujtojnë se janë në një hapësirë ku derdhej gjak shqiptari për pushtet. Ne jemi sot për t’ju shërbyer të gjithëve, pa i ndarë, as të majtë, as të djathtë, as të partive dhe partiçkave të tyre. Përkundrazi, për t’ju thënë se kur qeveris PS-ja, jo vetëm nuk guxojnë të prekin njeri, por në protesta dëmtohen më shumë policë, sesa protestues”.