Veliaj urdher për rikonstruktonin e bulevardit dhe pastrimin e Lanës
Bashkia e re e Tiranës krahas masave që ka marrë në vënien në punë të të gjitha shërbimeve për qytetarët, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pastrimit dhe rehabilitimit të hapësirave publike.
Gjatë fundjaves, veç pastrimit të përditshëm të qytetit, puna ka filluar edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku po bëhet rikonstruksioni i guralecëve të trotuareve dhe atyre rreth pemëve.
Punonjësit e Ndërmarrjes nr.2 të Bashkisë së Tiranës po punojnë për të meremetuar pjesët e dëmtuara të trotuareve duke i zëvendësuar ato me gurët origjinalë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj duket se po i ndjek nga afër të gjitha punët publike që po kryhen në Tiranë, sepse edhe këtë operacion e ka pasqyruar me një postim në Twitter. “Gur gur, bëhet mur. Çdo ditë nga një punë, pas 4 viteve rrënim, punëtoret e qytetit i rikthehen Bulevardit e shesheve”, shkruan ai.
Ndërkaq, veç Bulevardit, punëtorët e ndërmarrjes nr.2 në Tiranë janë përqendruar në pastrimin e mbeturinave nën urat e lumit Lana, por edhe në rregullimin dhe pastrimin e skarpateve të saj.
Aksioni do të kulmojë me aksionin e madh qytetar për pastrimin më 4 shtator, në të cilin Veliaj ka ftuar gjithë qytetarët e kryeqytetit.