Veliaj: Viti 2024, më intensivi i investimeve në Tiranë! Ndërhyjmë në të gjitha rrugët dhe blloqet e pallateve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilëson vitin 2024 si vitin më intensiv të investimeve për kryeqytetin.
Gjatë një takimi me kryetarët e PS-së së Tiranës, ai foli për projektet konkrete dhe investimet e reja që do të ndodhin gjatë këtij viti.
“Ne kemi hyrë në vitin më intensiv të investimeve në Tiranë. Pasi mbaruam gjithë transformimin e Bovillës dhe dyfishimin e filtrimit të rrjetit në Paskuqan, aty ku kemi pikën e filtrimit, do fillojmë nga puna për rrjetin kapilar në të gjitha lagjet, për ta bërë realitet Tiranën me 24 orë ujë, pavarësisht se u penguam dhe u sabotuam në mënyrën më banale të mundshme. Një ditë para Vitit të Ri firmosëm me KFW gjermane bashkëpunimin për të transformuar plotësisht transportin publik, duke e nisur si fillim me tre linjat kryesore: Kombinat-Kinostudio, Tiranën e Re dhe Unazën”, tha Veliaj.
Mandej, ai bëri me dije se së shpejti nis programi më i madh i ndërhyrjeve nëpër lagje, teksa theksoi se fokusi është te zemrat dhe mendjet e njerëzve.
“Kemi piketuar mbi 24 lagje, ku do të ndërhyjmë, pastaj kemi disa dhjetëra rrugë, përfshirë nga ato të fshatit apo rrugë të tjera periferike, deri tek rrugët e brendshme të Tiranës, për t’u siguruar që çdo rrugicë sheh diell dhe asfalt, edhe pse në këtë Tiranë që zhvillohet, gjithmonë do të ketë blloqe të reja që ndërtohen, teksa përgatitemi për një sezon tjetër të suksesshëm turistik. Janari është koha kur hapen të gjitha këto kantiere, megjithatë ‘kantieri’ më i rëndësishëm është ‘kantieri i zemrave dhe mendjeve të njerëzve’, për të cilin kryetarët, simpatizantët tanë, aktivistët, koordinatorët, duhet të punojnë pa pushim”, tha Veliaj.