Veliaj: Zero tolerancë në çlirimin e hapësirave publike; Së shpejti ndajmë banesat sociale
Bizneset dhe lokalet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në hapësirat publike duhet t’i lirojnë ato, ndërkohë që javën e ardhshme Policia Bashkiake dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor do të jenë në terren për të çliruar çdo hapësirë të zënë të qytetit. Kështu ka deklaruar sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjatë prezantimit të administratores së Njësisë 5, Violeta Kile, e vlerësoi si të papranueshme situatën e krijuar jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë Tiranën.
“Lokalet apo ata që shesin nëpër trotuare a në çdo cep tjetër kanë një javë afat për të liruar hapësirat. Javën tjetër Bashkia e Tiranës do të nxjerrë një urdhër për çlirimin e hapësirave të zëna dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë. Çfarë gjejmë në shesh, do të konfiskohet menjëherë”, deklaroi Veliaj. Ai deklaroi se ka vende të lira në tregjet e njësisë 5 për ata që tregtojnë në rrugë, ndaj nuk ka asnjë shkak për të shitur në trotuare.
“Aksionin për çlirimin e hapësirave publike do ta fillojmë nga njësia 5. Të gjithë ata që shesin në rrugë duhet të shkojnë atje ku minibashkia ka caktuar tregun. Ndaj, edhe lokalet kanë kohë deri javën tjetër që t’i marrin mbrapsht objektet që kanë nxjerrë në rrugë”, theksoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nënvizoi se kushdo që ka zënë hapësirat e parkimit publik, me vazo, copa betoni a karrige, do t’i konfiskohet.
“Parkimi i zënë me makina të përdorura që shiten tek stadiumi “Dinamo” do të lirohet. Ai parking është për banorët e zonës së stadiumit “Dinamo”, ndaj do të lirohet e do t’u kthehet atyre”, u shpreh ai. Për të realizuar këtë aksion, kryebashkiaku kërkoi nga administratorja e Njësisë 5 që të bëhet inventarizimi i hapësirave publike të zëna dhe pas publikimit të urdhrit ekzekutiv, t’u jepet urdhër të gjithë subjekteve për të liruar territorin.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga Veliaj ishte linja e autobusit Qendër – Kristal, të cilën ai e inspektoi sot, së bashku me kryetarin e Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi. “Autobusi ku hipëm sot ishte i denjë për periferinë e një vendi në Afrikë. Jo vetëm për nga vonesa, por edhe për nga cilësia e shërbimit. Këto detaje zbulohen vetëm kur bëhesh vetë pjesë e këtij shërbimi, për të kuptuar cilësinë e tij”, tha Veliaj. Sipas tij, njësia 5 është po aq në gjendje dramatike kur vjen puna te shërbimet, tek aksesi dhe cilësia e jetës, sa edhe pjesët e tjera të Tiranës.
Mandej, ai ftoi sërish qytetarët që të bëhen pjesë e aksionit të pastrimit të Tiranës në 4 shtator. “Do të doja që të nisni që tani ndërgjegjësimin me qytetarët për aksionin e 4 shtatorit për pastrimin e Tiranës, që në fund të këtij muaji të themi se fituam betejën me zhulin”, u shpreh Veliaj.
Po sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi edhe punimet që po kryhen në çerdhen nr. 42 në njësinë 5, ku kërkoi përfundimin e tyre në mënyrë që godina të jetë gati për fillimin e sezonit të ri. Duke iu përgjigjur interesit të mediave lidhur me mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se “do ta mbaj premtimin që bëri në fushatë”. “Në mbledhjen e parë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, do të bëjmë ndarjen e banesave sociale”, theksoi ai. Ai tha se procesi do të jetë transparent dhe do të bëhet mbi bazën e njerëzve në nevojë, jo të favoreve partiake.
“Kemi bërë disa verifikime ku na rezulton e njëjta histori si në 2013-ën, kur po e njëjta parti la pushtetin: kushërinj, nipa, mbesa, zyrtarë që marrin banesa sociale. Unë nuk do ta toleroj këtë. Banesat sociale do t’i shpërndajmë vetëm për ata që i meritojnë”, shtoi Veliaj. Nga ana tjetër, ai i është përgjigjur edhe pyetjes lidhur me kreditë e buta që bashkia jep për familjet e reja dhe të pastreha, duke deklaruar se në kushtet e sotme, Bashkia e ka të pamundur që të përballojë interesat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se fillimisht synohet shëndoshja e financave të institucionit, e më pas do të vijohet me dhënien e kredive të buta.
“Kam gjetur një bashki të falimentuar, e cila mezi arrin të paguajë rrogat për tre muajt e ardhshëm. Besoj se do të kem mirëkuptimin, që pasi të kemi shëndoshur financat e bashkisë, të konsiderojmë dhënien e kredive të buta”, tha Veliaj. Ndërsa, lidhur me problemin e qenve të rrugës, kryetari i Bashkisë u shpreh se, në bashkëpunim me aktivistët e mbrojtjes së kafshëve, do të jepet zgjidhja e duhur, por kurrsesi jo ajo e vrasjes së tyre. Ai bëri të ditur se do të propozojë kthimin e disa kapanone të vjetra të bashkisë apo ushtrisë në qendra strehimi për kafshët, ku mund të bëhet vaksinimi dhe sterilizimi i tyre.