Veliaj: Zyrat e shërbimit të Bashkisë së Tiranës do të zhvendosen në Bulevardin e Ri

Bulevardi i Ri që përshkron segmentin nga stacioni i trenit deri në lumin e Tiranës do të shndërrohet në një nga zonat më të rëndësishme të Tiranës, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës moderne dhe rekreacionit, por edhe të institucioneve administrative që do të zhvendosen aty. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet që po vazhdojnë për realizimin e një ndër projekteve më të rëndësishme për kryeqytetin, tha se përgjatë hapësirës së bulevardit do të zhvendosen edhe një sërë institucionesh të rëndësishme të qeverisjes vendore dhe qendrore. 

Veliaj tha se është marrë vendimi që institucioni i parë që do të transferohet në këtë zonë është Bashkia e Tiranës, e cila do të zhvendosë aty të gjitha zyrat që ofrojnë shërbime për qytetarët.

Veliaj: “Ne kemi marrë vendimin për të zhvendosur Bashkinë e Tiranës në Bulevardin e Ri. Sigurisht, do të ruajmë ndërtesën ceremoniale në qendër të sheshit “Skënderbej”, ndërkohë që 28 zyra të ndryshme të shpërndara nëpër qytet, që ofrojnë shërbime të bashkisë, do të grupohen në një ndërtesë të madhe administrative në bulevardin e ri”

Swiss Digital Desktop Reklama

Një vendim ky, që sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vjen si shembull edhe për institucionet e tjera apo bizneset e ndryshme, që ta shikojnë këtë zonë si një mundësi reale dhe shumë të mirë për të zhvendosur aktivitetin e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Veliaj: “Duke dhënë shembullin që Bashkia vetë zhvendoset në Bulevardin e Ri, sigurisht që japim një sinjal edhe për të ardhmen e zhvillimit të qytetit. Nëse bashkia zhvendos të gjitha shërbimet në këtë zonë, sigurisht që kjo hapësirë është dinjitoze edhe për ndërtesa, shërbime të tjera të qeverisë apo të sipërmarrjes”

Gjithashtu, ai tha se nisur nga fakti që ky bulevard do ketë një gjerësi prej 70 metrash, edhe disa përfaqësi diplomatike kanë shprehur interesin që selitë e tyre t’i zhvendosin përgjatë tij. Ndërsa ka folur për ecurinë e punimeve për zbatimin e projektit, Veliaj theksoi se ky vit ka nisur me një punë të intensifikuar në bulevardin e ri të Tiranës. 

Kryebashkiaku njoftoi edhe ndërtimin e një parkimi tjetër publik në këtë zonë dhe që do t’i shërbejë si banorëve të zonës, ashtu edhe atyre që do të kenë aktivitetet e tyre në zonën e Bulevardit të Ri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?