Veliaj,në Farkë: “Ka ikur koha e kopjacëve, që për katër vjet nuk bënë asgjë në Tiranë”

 

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot programin e tij të detajuar për Farkën, nga ku deklaroi se kundërshtari ka nisur të kopjojë projektet e tij, e prej një javë flet për rregullimin e të njëjtave shkolla, kopshte apo çerdhe. Veliaj tha se kryebashkiaku aktual i kishte mundësitë t’i bënte në 4 vjet të gjitha ato që premton sot kandidati i PD-së.

“Ne nuk e kemi problem pse na kopjojnë. Por, ka një diferencë shumë të madhe sepse kopjacët e kishin në dorë për t’i bërë të gjithë këto gjëra dhe nuk i bënë, ndërsa ne kemi dëshirën që në katër vitet e ardhshme të bëjmë shumë për Tiranën”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, janë po të njëjtët njerëz që qeverisën Tiranën në këto katër vjet, ndonëse sa herë që vijnë zgjedhjet kërkojnë që njerëzit të harrojnë që e shpunë Shqipërinë në humnerë.

“Për dy muaj Saliu nuk doli në televizor sepse këshilltarët u kishin thënë se përndryshe njerëzit do të votojnë të majtën dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane. Kështu, u munduan ta shtynin me barsaleta për dy javë, por u ngatërruan duke këputur mufka. Kur panë se sondazhet, doli Saliu dhe u kujtoi të gjithë shqiptarëve se nga kush kishin shpëtuar në 2013”, deklaroi Veliaj. Ai theksoi se “duhet t’i jemi mirënjohës Saliut që doli në skenë, se të gjithë e kuptuan se këta janë po ata, e njëjta familje, të njëjtit njerëz, i njëjti SHQUP”.

Ndaj, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranë u kërkoi banorëve të zonës që Farka t’i bashkohet projektit për ta çuar në drejtimin e duhur dhe për t’u siguruar që i njëjti shërbim që ofrohet në qendër të Tiranës të ofrohet njëlloj kudo. Veliaj prezantoi përpara banorëve kontratën e tij me pesë pika për banorët që do të përfitojnë ndërhyrje në zonën e tyre. Gjithashtu, ai prezantoi edhe programin e tij për zhvillimin ekonomik të zonave rurale që prekin edhe Farkën.

“Do të bëjmë një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe të organizimit të tregjeve. Në datën 21 qershor, me votën tuaj, nuk do të ketë më Polici Bashkiake që t’i fusë dorën në xhep dikujt që i rrit produktet e veta në Farkë dhe që mundohet t’i shesë në Tiranë”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, në bashkinë e re, do të përcaktohen disa zona për tregje të përhershme dhe disa zona për tregje të përkohshme. “Madje në rrugët e Tiranës do të bllokohet trafiku, sidomos rrugët që kanë më shumë ndotje, për t’u siguruar që ata fermerë të Farkës të shërbejnë në Tiranë produktet e tyre dhe qytetarët e Tiranës të kenë mundësi të blejnë produkte bio”, sqaroi Veliaj.

Në shërbim të fermerëve, kandidati i majtë deklaroi se bashkia e re do të marrë përsipër të gjithë problemet e vaditjes dhe kullimit. Ai tha se do të zbatohet politika “km 0” apo krijimi i kooperimeve moderne. “Është e pamundur me fondet që do të japë Bashkia, BE dhe qeveria, që ne të bëjmë aplikim për çdo dynym toke. Ndaj, bashkia e Tiranës, në mënyrë aktive do të inkurajojë bashkëpunimin e një kooperative moderne, ku ata që duan të bëjnë bashkë mjetet e punës dhe tokën e tyre të kenë mundësi që të aksesojnë më shumë fonde në bashki dhe BE”, deklaroi Veliaj.

Më tej, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës bëri të ditur se për herë të parë do të ngrihet një Qendër të Agronomisë dhe Veterinarisë dhe një Qendër Këshillimi për të ndihmuar fermerët. Ngritja e një Qendre Grumbullimi për të gjithë zonën, hartimi i një guide turistike, ofrimi i një sistemi incentivash për fermerët dhe banorët, janë disa nga projektet e Veliajt për t’u ardhur në ndihmë banorëve që jetojnë në zonën rurale të Tiranës.

Duke prekur më konkretisht pikat e kontratës së tij për Farkën, Veliaj premtoi fillimisht mbulimin e kësaj zone me transport publik. Ai tha se do të dyfishohen linjat e transportit publik në Tiranë, nga 10 linja, në 19 ose 20 të tilla, për t’u siguruar që Tirana ka të njëjtin transport, me të njëjtën cilësi dhe me të njëjtën biletë.

“Ne kemi vendosur që në këtë kontratë të Bashkisë së re me qytetarët e Farkës të propozojmë ndërtimin e një kopshti me çerdhe të integruar brenda dhe ndërtimin e një shkolle të re si një mënyrë për të çliruar dyndjen që fëmijët e Farkës shkaktojnë në shkollat e Tiranës”, deklaroi Veliaj. Ai shprehu shqetësimin për situatën e krijuar me rrugët në lagjet e brendshme të kësaj zone dhe premtoi ndërhyrje për të rregulluar infrastrukturën rrugore.

“Kemi vënë si pikë tjetër të kontratës tonë me Farkën, ndërtimin, sistemimin e ujësjellësit në Mjull-Bathore. Si për ndërtimin e urës së Dallashit në Lundër, si për lagjen e Agallarëve kemi gati projektin për t’u siguruar që nga terri shkojmë në dritë. Jam i bindur se do të takohemi këtu pas dy javësh, se do të fitojmë në çdo njësi, sepse jemi i vetmi ekip që ka një program konkret për çdo lagje. Në fillim e tallën, tani po e kopjojnë, por tani është shumë vonë”, përfundoi Veliaj.

 

SHKARKO APP