Veliaj:U nisëm për të ndihmuar fëmijë, na bllokuan të rinjtë e PD
Një autokolonë me ndihma është bllokuar në fshatin Ferras të Fierit rreth orës 16:00 për të shkuar në destinacion nga disa persona të cilët i kanë zënë rrugën makinave.
Pas publikimit së një videoje në rrjetet sociale ka ardhur edhe shoqërimi i 4 prej tyre nga policia e Fierit, të cilët janë pjesë e Forumit Rinor të PD. 4 të rinjtë janë liruar rreth orës 21:15 pasi 50 mbështetës të PD-së në qytetin e Fierit kanë rrethuar komisariatin duke kërkuar lirimin e tyre.
Kreu i PD dega Fier, Luan Baçi ka shfajësuar 4 anëtarët e Forumit Rinor. Sipas tij ata që bllokuan makinën qeveritare nuk kanë qenë anëtarët e Forumit Rinor të PD, por banorë të zonës, ndërsa 4 të rinjtë e shoqëruar në polici ishin rastësisht aty. Mësohet se 4 të rinjtë e përfshirë në ngjarje janë Fatjon Bathorja, Zekri Picari, Gentjan Gjonaj dhe Ernest Mulaj.
Veliaj:Po shkonim të ndihmonim 3 vajza me gjyshen e saj
Pjesë e autokolonës ka qenë edhe makina e ministrit Veliaj i cili në një lidhje telefonike për A1 Report sqaron se ishin nisur për t'i shkuar në ndihmë një familjeje me tre vajza të vogla të cilat kishin mbetur të rrethuara nga uji dhe pa ushqim.
“Ka qenë një autokolonë ushqimesh dhe po udhëtonim drejt një familjeje për t’i dërguar tre vajzave të vogla ushqime. E para ishte makina e Shemsi Premçit, e imja ishte e dyta dhe pastaj një autokolonë me ndihmat që kishim nisur për vajzat. Ne kishim plan të inspektonim shkollat pasi nga nesër do të nisë normalisht shkolla por dispeçeria e shtabit të emergjencave kishte marrë një thirrje nga gjyshja e tre vajzave në Ferras për vajzat që mbetën të bllokuara. Kur morëm informacionin ishim afër dhe kishte një thirrje të ngjashme nga një bari i cili kishte mbetur i bllokuar. Premçi propozoi të shkonim vetë meqë ishim afër. Udhëtuam pa badigardë dhe ishim me makina civile siç edhe mund ta keni parë nga videot e publikuara. U pikasëm nga grupi i ardhur nga Tirana, dhe fillimisht më erdhi mirë kur dëgjova që edhe PD po kontribuonte, por jo për atë që bëri me incidentin e të rinjve. E kuptuam që nuk ishin banorë të zonës se nuk kishin pikë balte në rroba dhe ishte jologjike që banorët të refuzonin ndihmën e dhënë nga shteti. Adela e vogël gjithsesi i mori ushqimet dhe të gjitha ndihmat që ishin për të, tashmë ajo ka ushqime dhe çdo gjë që i nevojitet.”- tha Veliaj per shqiptarja.com
Veliaj: Reagimi i Topallit i tmerrshëm, videoja e saj lehtësoi identifikimin
“Ishte i tmerrshëm reagimi i Topallit që e shiti videon si një fitore të madhe dhe më vjen keq që në këtë situatë ku të rinjtë e PD patën mundësinë të tregonin solidaritet treguan të kundërtën.”- tha Veliaj
I pyetur nëse kanë komunikuar apo jo me protestuesit, Veliaj tha se ishte një lum të sharash dhe kuptuam që nuk ia vlente një sqarim sepse ishte një grup i parapërgatitur me celularët nëpër duar dhe gati për tua nisur fotot selisë së PD. “Qeveria është e njerëzve. Më vjen keq që të rinjtë përdoren kështu. PD e botoi si arritje që u bllokua karvani që do ti dërgonte ndihmë tre vajzave të cilat sot i kanë ushqimet. Nesër do të jemi në Fier, sepse sot e ka nisur kryeministri fushatën e ndihmës në Vlorë, dhe nesër do jetë sërish në Fier dhe do kemi sërish një ditë të suksesshme. Sot u lajmërua edhe për një emergjencë në Darzezë.
Përsa i përket akuzës së Ristanit, Veliaj tha: Ndryshe nga Ristani ne nuk udhëtojmë me eskortë sepse nuk i kemi frikë qytetarët tanë. Denoncimin sipas Veliajt e bënë vetë të rinjtë sepse kanë filmuar njëri-tjetrin dhe denoncimin e parë fare ia ka bërë Jozefina Topalli pasi e ka publikuar. Të paktën për një gjë ne bashkëpunuam me PD sepse ajo publikoi videon dhe bëri të mundur identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.