Velipoja, modeli i plazhit publik, Benet Beci tregon, se me vullnet dhe vendosmëri, kjo është e mundur

Në një kohë kur uzurpimi i hapësirave publike bregdetare mbetet një nga shqetësimet më të thella të sezonit turistik në Shqipëri, Velipoja po ngrihet si një model suksesi, që dëshmon se ndryshimi është i mundur kur ka vullnet politik, bashkëpunim institucional dhe vendosmëri në zbatim.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një postim të fundit në rrjetet sociale, ka ndarë me qytetarët një lajm që për shumëkënd është më shumë se një njoftim – është një sinjal shprese dhe përgjegjshmërie qytetare:

“Hapësirat publike pa pagesë, në dispozicion të pushuesve, janë prioritet i Bashkisë Shkodër. Që në orët e para të mëngjesit, strukturat e Policisë Bashkiake kanë ndërhyrë për lirimin e hapësirave të zëna në plazhe. Përveç gjobave administrative, janë marrë masa edhe me sekuestrimin e çadrave dhe shezlloneve të subjekteve që abuzojnë me hapësirën publike të dedikuar për pushuesit. Zero tolerancë për këdo që cënon këtë hapësirë. Një falënderim për të gjitha strukturat dhe qytetarët për bashkëpunimin.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Në qendër të këtij shembulli që frymëzon është Velipoja, një prej plazheve më të frekuentuara në veri të vendit, që këtë vit po ofron një përvojë ndryshe për pushuesit: hapësira publike të lira, të pastra dhe të garantuara. Kjo nuk është thjesht një ndërhyrje sezonale, por një filozofi e re e administrimit të pasurive publike, që rikthen te qytetarët atë që u përket me të drejtë.

Kryebashkiaku Beci e ka cilësuar Velipojën si modelin e një standardi të ri në të gjithë vijën bregdetare shqiptare, një model i mundshëm për t’u replikuar edhe në plazhe të tjera, nga veriu në jug. Përmes këtij rasti, ai ka treguar se me bashkërendimin e strukturave të policisë bashkiake, me vendosmërinë për të zbatuar ligjin dhe me angazhimin e plotë të qeverisjes vendore, është jo vetëm e mundur të përmbushet një premtim, por edhe të krijohet një realitet i ri: bregdeti si hapësirë publike, jo si mall për t’u shitur.

Ky veprim konkret shënon një kthesë në mënyrën se si trajtohet sezoni turistik në vend. Në një realitet ku shpesh mbizotërojnë informaliteti, kaosi dhe arroganca e “të fortëve” që privatizojnë pa të drejtë bregdetin, Velipoja po sfidon këtë model të vjetër me një qasje të re: ligj, transparencë, dhe respekt për qytetarin.

Velipoja po na jep një arsye për të besuar se po, zgjidhje ka. Ka kur ka përgjegjësi. Ka kur ka përkushtim. Ky model duhet jo vetëm të vlerësohet, por të promovohet e të kërkohet nga qytetarët edhe në zona të tjera, si një standard i paanashkalueshëm për një Shqipëri më të ndershme, më të drejtë dhe më të jetueshme.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?