Vëllai i kryebashkiakut të Matit, fiton tendera me 100 % të vlerës
Në vitin 2013, kryetari aktual i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, ka pasur në pronësi një firmë të ruajtjes së sigurisë fizike. Firma ka selinë në kryeqendrën e Matit, Burrel dhe deri para pak kohësh, kompania ka qenë lokale, ku ka ruajtur disa godina apo edhe institucione të ndryshme periferike. Rrallëherë arrinte të fitonte tendera, ndërsa pronari i saj u atakua edhe për ngjarjen e 21 janarit 2011, ku Malaj ka qenë pjesëtar i grupit të zjarrit i gardës së republikës. Dhënia e informacioneve për këtë ngjarje eksponentëve të ndryshëm të Rilindjes, e shpërbleu në vitin 2019, pasi kandidoi në votimet e zgjedhjeve lokale si kryetar i Bashkisë së Matit.
Gjatë këtij viti, dy vëllezërve Malaj u ka ecur fati, ku njëri drejton punimet e bashkisë duke tenderuar miliona euro, ndërsa tjetri arkëton dhe menaxhon të tjera miliona që ka fituar kompania e tij pikërisht me tendera. Për rreth 12 muaj, firma “Global Security” shpk, në pronësi 100 % të Fatos Malaj, vëllait të Agronit, ka arritur të fitojë disa tendera të rëndësishëm edhe në Tiranë.
Gazeta Shqip ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka bërë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Para pak javësh, kjo agjenci publikoi në Agjencinë e Prokurimit Publik njoftimin e kontratës me objekt ruajtjen fizike të pasurive të sekuestruara me shërbim 24 orë në 7 ditë. Fondi për këtë tender ishte 31,589,193 lekë, ndërsa ruajtja do të bëhet për 24 muaj. Në një tjetër dokument, pikërisht njoftimi i fituesit thuhet se kriteri i përzgjedhjes është çmimi më i ulët. Në tender ka marrë pjesë vetëm një garues, ku dy firma janë bërë bashkë dhe e kanë fituar. Firmat janë Global Security, e vëllait të kryetarit të bashkisë së Matit dhe Nazeri. Këto dy firma kanë ofruar në tender 31,589,183 lekë.
Pra, nëse do bëjmë një veprim të thjeshtë; 31,589,193 (fondi) – 31,589,183 (oferta) = 10 lekë! Pra, firma e vellait të kryetarit të Bashkisë së Matit e ka fituar këtë tender duke marrë edhe qindarkën e fundit nga kjo agjenci, e drejtuar edhe kjo nga një dibran. Tenderi ka qenë vetëm formal, pa garë dhe fituesi ka marrë te gjithë fondin e akorduar nga agjencia. Për më tepër familja e një kryetari të bashkie, do të ruajë dhe do të ketë akses në pasuritë e sekuestruara dhe bllokuara. Kjo firmë nga lokale, është bërë kombëtare, pasi ka akses në shumë institucione, duke konkuruar për të marrë para publike. Pak kohë më parë, rreth 3.4 milionë euro tender për sigurinë në shkollat e kryeqytetit.