Vendi në kolaps, Basha: Kanë dalë 100 mijë të papunë. Rama i vetmi që nuk anuloi asnjë koncension
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaron se vendi eshte në kolaps, ndaj tha ai, e ka vënë gjithë theksin tek ekonomia. Basha tha se Rama i vetmi kryeministër që nuk anuloi asnjë koncension gjatë pandemisë.
“Nuk është në tagrin tim të vlerësoj se si sjellja ime perceptohet sepse kjo nuk bëhet për hir të sjelljes time, nqs e keni fjalën pse e kam vendosur theksin tek ekonomia është për një arsye shumë të thjeshtë, sot vëndi ndodhet në prag të një kolapsi të vërtetë dhe këtë çdo shqiptar e shikon edhe e ndjen përditë edhe unë e ndiej në cdo ditë që jam në kontakt me ta. Ajo që më shqetëson jashtë masë është se ndonëse në gjashtë muajt e fundit kjo qeveri edhe ky kryeministër jo vetëm që e kanë braktisur totalisht ekonominë edhe fatin e shqiptarit të thjeshtë por po vazhdojnë të bëjnë të njejtat gjëra që kanë bërë shtatë vite me rradhë që janë arsyeja pse jemi këtu.
Le ta themë më konkretisht, e mbani mend pas tërmetit të 26 nëntorit që u shkul e gjithë bota për të na ndihmuar. Mblodhën fonde, na ndihmuan me çfarëdo që mundeshin. Ata dhe vendet e tyre ishin në situata jo optimale, sidomos pas shpërthimit të pandemisë.
I vetmi që nuk anulloi asnjë koncension,i vetmi që nuk i rialokojë asnjë fond, por që ishte vetëm propagandë dhe mashtrime , ishte ky. Pra është gjendja jashtëzakonisht e rëndë ndaj ekonomisë që shqiptarët e ndiejnë në palcë, ajo të cilës unë po i përgjigjëm dhe Partia Demokratike po i përgjigjet në rradhë të parë më një plan rimëkëmbje antikovid, që nuk është plani ynë ekonomik për 4 vitet e ardhshme për një arsye të thjeshtë sepsë ka analistë që ndoshta edhe ngaqë nuk e kanë shqyrtuar tamam, disa ndioshta edhe si shërbim ndaj pushtetit e ngatërrojnë këtë me planin ekonomik të Partisë Demokratike. Plani ekonomik i Partisë Demokratike…”, deklaroi Lulzim Basha.
Basha tha se plani i rimëkëmbjes parashikon një rialokim të buxhetit të shtetit në vlerën 3 përqind.
Kjo do bëhet e mundur duke shkurtuar shpenzimet e luksit dhe shpenzimet e tepërta. Sipas tij, duhen hequr paratë që u shkojnë oligarkëve dhe koncesioneve si ai i inceneratorëve.
“Mbrëmë qeveria ka miratuar një tjetër pagesë për inceneratorët, me një vlerë prej 1.8 mln dollarë, që i ka marrë nga fondi i ujësjellës-kanalizimeve,” tha Basha.
“Njerëzit presin përgjigje sot, kurse ky thotë prisni pas prillit se do u rris rrogat, do u heq taksat. Kërkoj që Rama të marrë dhe t’i zbatojë këto 5 pika. Sot ka ardhur puna te jeta dhe vdekja, te buka e gojës. Shikoni çfarë thotë BERZH, që Shqipëria ka parashikimin më negativ për vitin e ardhshëm.
Për 6 muaj janë dhënë 100 mln euro ndihma, kurse Kosova ka dhënë 450 milionë euro. Vendet e tjera po bëjnë gati paketën e katërt,”tha Basha.
Ai përmendi më pas skandalin e aksit Korçë-Leskovik, ku do jepen 20 milionë euro për 4 km rrugë.
“Në prill mori propozimet tona, i shkroi, por nuk i zbatoi. Fjala pagë lufte është tinëzare, pasi sipas ligjit, nëse mbyll bizneset, i lind detyrimi ligjor për të paguar faturën e dëmit,” tha Basha.
Më pas ai shpalosi disa detaje të planit prej 5 pikash.
“Ka vendosur interesat e një grushti oligarkësh mbi shqiptarët.
Sot janë afërsisht 100 mijë të papunë. U dhe dy pagat, po tani me çfarë do të jetojnë këta njerëz?
Ne propozojmë për të gjithë njerëzit që kanë humbur punën një çek prej 160 mijë lekësh në muaj për gjashtë muaj.
Ne propozojmë që biznesi që rimerr në punë njerëzit, të marrë 200 mijë lekë për këdo që ripunëson.
Ne propozojmë që pensionistët të marrin minimalisht 20 mijë lekë për shpenzimet ekstra.
Çdo biznes i vogël të marrë një çek prej 1 mijë eurosh për të minimizuar efektet e krizës. Ky çek do i jepte mundësi për të shlyer disa detyrime. Ky është një propozim realist”, tha Basha.