Vendimi i Kurtit krijoi radhë të gjata në kufi, Balla takon Xhelal Sveçlën në Morinë: Duhet zgjidhje
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka shkuar vetë në Morinë këtë të hënë për të kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje që do të lehtësojë fluksin e udhëtarëve në pikën kufitare të Morinës.
Një vendim i qeverisë së Kosovës i kërkon çdo udhëtari që nuk ka targat e Kosovës në automjetin e tij, të paguajë një taksë siguracioni, dhe kjo ka krijuar radhë të gjata makinash në Pikën kufitare të Morinit.
“Arsyeja e këtij takimi është një kërkesa e imja. Por konkretisht ka një rritje të numrit të mërgimtarëve e jo vetëm, edhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Republikën e Kosovës, e për shkak se për të gjitha targat me përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet të pajisën me siguracion, kjo merr një kohë të caktuar, kemi bërë një përllogaritje me ekspertët dhe drejtuesit.
Shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Europa e jo vetëm për t’u kthyer, të gjejmë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes Pikës së Kalimit të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër. Ose të gjejmë modalitetet sesi t’i japim një zgjidhje që pajisjen me siguracion, mos ta bëjnë më në pikën e kalimit kufitar, por, një propozim ka qenë, ta bëjnë brenda një kohe të caktuar, sapo hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ose brenda një distance të caktuar.
Në shumë vende p.sh., ka një model që brenda një distance, 50-100 km, ke kohën ose mundësinë për t’u pajisur me këtë siguracion. Mendoj që një prej arsyeve të këtij niveli të lartë të këtij trafiku është pikërisht kjo”.