Vendimi për maskat, Vasili: Gabime në seri, specialistët s’kanë folur por kanë “kënaqur” kryeministrin
Nënkryetari i LSI, mjek në profesion, Petrit Vasili, në një intervistë për Ora News ka komentuar vendimin e kryeministrit Edi Rama për ta bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës, duke nisur nga java e ardhshme.
Sipas Vasilit, këto janë masa shumë të çuditshme që nuk ndikojnë në luftën kundër Covid-19.
“Kryeministri flet për një masë urgjente, të domosdoshme dhe kjo hyn në fuqi ditën e enjte, dhe këtë e tha ditën e shtunë. 5-6 ditë janë shumë, janë vendimtare për këtë pandemi.
Pandemia asnjëherë nuk mund të përballohet me të tilla qëndrime, kontradiuktore, të poabazuara dhe që nuk bindin askënd.
Kryeministri tenton të bëjë epidemiologun, mjekun, gjithmonë është i rrethuar me njerëz që nuk kuptojnë profesionin dhe ndjehen të lumtur që kanë mësuar ndonjë fjalë këtej andej.
Një masë shumë e çuditshme. Pse në një ambient të hapur, ku potenciali për dëmtim dhe trasnmetim është më i vogli, duhet maska, ndërsa në bare e restorane nuk u dashka?!
Njësoj si atëherë kur thoni do mbyllemi në 1 me 5 dhe mbyllje totale në fundjavë. Gabime në seri pasi nuk kanë folur specialistët, por thjesht i janë përshtatur kryeministrit”, u shpreh Vasili.
Sipas tij, tashmë dihet mënyra se si mund të luftohet pandemia, testim, gjurmim dhe trajnim.
“Triada është testim-gjurmim-trajnim. Hapi i parë kryesor, zgjerimi i testimeve, është zero. Gjurmimi bëhet në mënyrë arkaike pasi kërkon mjete. Vijmë te trajtimi. Kemi dy spitale, Covid 1 dhe Covid 2, të mbingarkuar në këto kohë. Pse nuk hapen Covid 3 dhe Covid 4, siç është premtuar? Po pse këta mbingarkohen? Nuk na duhen mjekë heroikë por njerëz që të bëjnë punën”, tha ndër të tjera në intervistën e tij për Ora News, Petrit Vasili.
Sipas nënkryetarit të LSI, vendimi për mbajtjen e maskave duhej shoqëruar me një plan konkret të qeverisë për ti ardhur në ndihmë shtresave në nevojë që nuk kanë mundësi të sigurojnë maskat anti-Covid.