Venecia për mandatin e Xhaçkës, PD: Kuvendi ta dërgojë pa vonesë në Gjykatën Kushtetuese

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një reagim për vendimin e Komisionit të Venecias për rastin e Olta Xhaçkës, tha se PS-së duhet të votojë për heqjen e mandatit, pasi sipas interpretimit të PD, Komisioni i Venecias i jep të drejtë Kushtetueses. ”Në rastin specifik, Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare. Me fjalë të tjera, pavarësisht vullnetit negativ të shprehur me votë nga shumica socialiste, Kuvendi duhet të zbatojë urdhërimin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”,-tha Bylykbashi.

Deklarata e plotë

Komisioni i Venecias sot foli qartë e me zë të lartë: vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë rastin Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje, zvarriten, minohen, pengohen apo bllokohen nga Kuvendi me votën e mazhorancës. Komisioni i Venecias thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në tërësi apo edhe në rastin konkret, në lidhje me konfliktin e interesit dhe heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka, është i detyrueshëm për Kuvendin si organ, për mazhorancën politike në Kuvend dhe për çdo deputet individualisht.

Komisioni i Venecias konstaton në paragrafin 13 se Kuvendi është i detyruar ta çojë çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë, por se deri më sot Kuvendi ende nuk i ka zbatuar dy vendimet detyruese të Gjykatës. Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e Edi Ramës dhe shumicës socialiste për t’u fshehur pas parimit kushtetues të ndalimit të mandatit detyrues apo ndryshe mandatit të lirë të deputetit. Komisioni i Venecias thekson se ky parim do të thotë se deputeti është deputet i Republikës, përfaqësues i popullit dhe është i lirë në qëndrimet dhe votën e tij nga vullneti i partisë që e ka kandiduar, përfaqëson apo edhe i elektoratit që e ka votuar.

Por ky parim nuk zbatohet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse detyrimi për Kuvendin dhe çdo deputet që të zbatojë Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën çështje vullneti të lirë, por zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim buron nga parimet e kushtetutshmërisë, shtetit të së drejtës dhe lojalitetit kushtetues mes organeve kushtetuese. Komisioni i Venecias, në paragrafin 22, thekson se Kuvendi nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve si justifikim për të mos zbatuar vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin specifik, Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare. Me fjalë të tjera, pavarësisht vullnetit negativ të shprehur me votë nga shumica socialiste, Kuvendi duhet të zbatojë urdhërimin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Në vitin 2014 u desh një marrëveshje politike me mbështetjen e Parlamentit Europian dhe dhjetë vjet më vonë, në vitin 2024, u desh një ndërhyrje e Komisionit të Venecias për të detyruar Edi Ramën që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, sepse Edi Rama është dhunues recidivist i Kushtetutës dhe ligjit.

Partia Demokratike e konsideron opinionin e Komisionit të Venecias, ashtu siç pritej nga kushdo me një arsye të shëndoshë politike dhe juridike, një goditje të fortë për përpjekjet e Edi Ramës për të bllokuar zbatimin e Kushtetutës dhe thekson se çdo veprim i Kuvendit dhe kryetares së tij, në kundërshtim me këto vendime të Gjykatës dhe interpretimin e Komisionit të Venecias, përbën demonstrim të qartë të vullnetit konstant për injorimin, anashkalimin apo shkeljen e Kushtetutës nga Edi Rama, qeveria dhe mazhoranca socialiste e udhëhequr prej tij. Gjithashtu, përbën edhe vepër penale. Kuvendi duhet ta dërgojë rastin Xhaçka menjëherë e pa vonesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

SHKARKO APP