”Veriu mund të kthehet në vatër zjarri”, Rama: Duhet qëndrim më i fortë i NATO-s nëpërmjet KFOR-it

Nga samiti i NATO-s në Vilnius të Lituanisë, kryeministri Edi Rama foli për situatën në veri të Kosovës, ndërsa theksoi se është koha që të kombinohet dialogu i lehtësuar nga BE, rruga diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, në kuadër të Forumit Publik të Samitit të NATO-s, që po zhvillon punimet në Vilnius, Lituani.

“Problemi Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme dhe çka po ndodh është diçka me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e veriut të Kosovës, që mund të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit”, shtoi Rama.

“Aty është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale të trafikimit të drogës, armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut mund të jetë me të vërtetë një situatë shpërthyese”, tha Rama.

Rama theksoi se Bashkimi Europian po punon me të dyja palët që të gjejnë gjuhët e përbashkët, megjithatë ai shtoi se është një palë e tretë që po ngrihet dhe kjo palë janë grupet ekstreme në veriun e Kosovës, “që është kthyer në një vend parajse për aktivitete kriminale”.

SHKARKO APP