Vetëvarja e 52-vjeçarit, Basha: Asnjë ngushëllim për viktimën, Rama: Kush ha bar Shqupi me lot krokodili, s’shet dot moral
Asnjë ngushëllim për viktimën por vetëm vrer ndaj opozitës”. Kështu ka shkruar kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në faqen e tij të Facebook, në vijim të reagimeve për vetëvarjen e 52-vjeçarit në burgun e Rrogozhinës.
Basha ka deklaruar në statusin e tij se ndërkohë nuk ka asnjë veprim ndaj debitorëve dhe hajdutëve, të cilët janë promovuar në poste drejtuese, por ka sipas tij dyfytyrësi e papërgjegjshmëri kriminale.
“Asnjë veprim ndaj debitorëve dhe hajdutëve që i ka promovuar në poste drejtuese në OSHEE. Dyfytyrësi, mashtrime, papërgjegjshmëri kriminale. Kjo është fytyra e së keqes. Që duhet shkulur me rrënjë!”, ka shkruar kreu i demokratëve.
Ndërkohë disa minuta më vonë ka reaguar po në Facebook kryeministri Edi Rama, i cili ka shkruar se nuk hyn askush në burg për borxhe ndaj OSSHE-s, por ata që kapen duke vjedhur energjinë.
Kryeministri Rama ka publikuar edhe dy dokumenta, atë të arrestimit të 52-vjeçarit Qamil Zela dhe vendimin e Gjykatës.
“U thanë që ishte në burg për 35 mijë lekë të vjetra apo jo? Shikojini këto dy dokumente që ta kuptoni kollaj fare se ç’është politika e hienave! Nuk hyn askush në burg për borxhe ndaj OSSHE-së, kush ka borxhe lidh marrëveshjen me kompaninë ose i ndërpriten dritat. Në burg, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shkojnë 3-5 vjet vetëm ata që kapen duke e vjedhur energjinë”, ka shkruar Rama.
“Prandaj kush këtu ha symbyllur bar Shqupi të vaditur me lot krokodili, nuk i shet dot kujt as mend e as moral jo e jo!”, ka ironizuar kryeministri.
52-vjeçari Qamil Zela nga Lushnja, i arrestuar në muajin tetor për shkak të abuzimeve me energjinë elektrike, u gjet i vetëvarur paraditen e sotme në burgun e Rrogozhinës.