Vetting-u që kërkon PD-ja, Alibeaj: Në politikë lulëzon krimi e korrupsioni
Krimi dhe korrupsioni në politikë lulëzon. Nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë që kjo është arsyeja pse Partia Demokratike kërkon një nismë të tillë në nivel kushtetues.
“Kjo republikë ka shumë ligje, madje inflacion ligjesh, dhe duket që krimi e korrupsioni në politikë duket që lulëzojnë, e kemi të prekshme në zgjedhjet e 25 prillit dhe kjo është arsyeja e fortë që kërkon një nismë të tillë në nivel kushtetues. Logjika do të ishte që vetingun e politikanëve të korruptuar do të duhet ta bënte populli me zgjedhje, kështu ndodh në Europë. Duke qenë se në këtë vend nuk bëhen zgjedhje të lira të ndershme ka nevojë për këtë ndërhyrje. Do të duhet parashikuar në kushtetutë edhe mekanizmi që do ta bëjë funksional vetingun për politikanët”.
Po ashtu Alibeaj theksoi gjithashtu se një arsye pse kjo e nismë e 2018-ës ka dështuar është edhe për shkak të mungesës së vullnetit politik për të cilin akuzon mazhorancën.
”Nëse kemi dështuar deri më tani të bëjmë Vetting-un e politikanëve ka një problem të madh që është çështje e vullnetit politik. Për këtë arsye ne kemi bërë pjesën tonë. Varet nga pala tjetër pala jonë e ka shprehur vullnetin poltik, ne kemi bërë pjesën tonë që në 2018. Ne kemi paraqitur këto amendamente duke kapitalizuar dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”,-tha në ”A2nn”.