VIDEO/ 111-vjetori i Pavarësisë, Presidenti Begaj: Kjo ditë e gjen Shqipërinë një hap më pranë BE-së

Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një pritje zyrtare në institucionin e Presidencës. Kreu i shtetit në fjalën e tij tha se ky përvjetor e gjen Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.

“Kjo ditë e gjen Shqipërinë një hap më pranë BE-së. Në këtë kontekst vlerësoj arritjet e Reformës në Drejtësi, e cila po jep rezultate dhe po krijon shpresë dhe besueshmëri tek publiku, por edhe tek partnerët tanë. Inkurajoj strukturat e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim. Besoj se komuniteti i BE-së do të veprojë me hapa konkretë në drejtim të përshpejtimit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo është jetike për ne dhe strategjike për BE-në”, tha ai.

Presidenti Begaj u shpreh edhe se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv për paqe dhe bashkëpunim rajonal. “Më lejoni ta mbyll këtë fjalë duke shprehur krenarinë se Shqipëria jonë me pasurinë e natyrës dhe dashamirësinë e njerëzve të saj, këtu ka qenë shekuj më parë, do të jetë këtu shekujt e ardhshëm, do të jetë këtu përgjithmonë. Zoti e bekoftë flamurin tonë, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh kreu i shtetit.

SHKARKO APP