VIDEO/ 92-vjetori i lindjes, Gonxhja uron ikën ikonën Tinka Kurti: Sa më gjatë pranë nesh
Ikona dhe artistja e madhe e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti feston sot 92-vjetorin e saj të lindjes. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot aktoren e madhe për ditëlindjen.
“Protagoniste e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” dhe me mbi 300 role në skenën e teatrit dhe të filmit, Tinka Kurti është vlerësuar me çmime e tituj nderi si “Artiste e Merituar” dhe “Artiste e Popullit” dhe me medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”. I urojmë shëndet dhe e paçim sa më gjatë pranë nesh”,-shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj u shpërngul, kur Tinka ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaroi arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 u nis në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.
Që prej rolit të veçantë të Tanës, në filmin e parë shqiptar në vitin 1958, Tinka Kurti mban mbi supe 75 vite karrierë me përkushtim të palodhur ndaj artit dhe kinematografisë shqiptare. Kurti spikati jo vetëm për dramën që rolet e luajtura prej saj mbartnin, por dhe me mënyrën e interpretimit.