VIDEO/ Arsimi profesional, Balluku në Lushnje: Me rëndësi bashkëpunimi me sipërmarrjet për praktikën e nxënësve
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes bizneseve dhe industrisë me shkollat profesionale për t’u mundësuar praktikën nxënësve nga shkollat profesionale. Balluku vizitoi një nga kompanitë fason në Lushnjë, e cila punëson 160 punonjës dhe sot po prodhon veshje për markat më të njohura italiane. Ajo u shpreh se ka një sërë profesionesh që duhen formuar në arsimin profesional, ndaj dhe qeveria ka vendosur në fokus këtë arsim.
”Qeveria shqiptare ka nisur një fushatë për të sensibilizuar të rinjtë, të cilët janë në moshë për të hyrë në gjimnaz që të mos zgjedhin të gjithë gjimnazin e përgjithshëm. Ka një sërë profesionesh që duhen formuar në arsimin profesional dhe për këtë arsye gjatë vitit 2024 ne kemi pasur zëra të dedikuar në buxhet për rikonstruksionin e shkollave, rritjen e kurrikulave profesionale, madje edhe të disa prej konvikteve, duke qenë se shkollat profesionale kanë pasur edhe në bazën e konceptimit të tyre njësi akomodimi për fëmijët që vinin nga zona më të largëta, të cilët deshën të merrnin një profesion për tu kthyer pastaj në zonën e tyre”, u shpreh ajo.
Për të rol ka edhe vet biznesi dhe industria. ‘‘Të gjitha këto ne po i bëjmë dhe unë shpresoj shumë që të luajnë rol edhe vetë bizneset, edhe vetë industria duke bashkëpunuar me shkollat profesionale dhe duke i krijuar mundësinë këtyre fëmijëve që edhe gjatë periudhës së shkollës të bëjnë praktika dhe të fillojnë të lidhen me profesionin”, deklaroi Balluku.