VIDEO/ Balla në Greqi: Mijëra shqiptarë të punësuar në sektorin e bujqësisë
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht edhe drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim në qytetin e Verias, në Greqi, me kryetarin e Unionit Kombëtar të Kooperativave Bujqësore të Greqisë, Christos Giannakakis. Këto kooperativa prej më shumë se 30 vitesh kanë punësuar shumë bashkëatdhetarë shqiptarë në sektorin e bujqësisë.
Balla shprehu mirënjohjen e tij për mundësitë e punësimit që Unioni ka ofruar për shqiptarët, duke theksuar kontributin që bashkëkombësit tanë kanë dhënë në zhvillimin e sektorit bujqësor në Greqi. ”Dua të falënderoj shoqatën tuaj, sepse për të paktën 34 vitet e fundit janë me qindra e mijëra shqiptarë që kanë punuar në kooperativat tuaja”, tha Balla.
Ministri vizitoi edhe fabrikën e përpunimit “Venus,” ku pati rastin të takonte disa punonjës shqiptarë që kontribuojnë me përkushtim në sektorin e prodhimit bujqësor. Kjo fabrikë është një nga objektet kryesore ku punëtorët shqiptarë kanë gjetur punësim të qëndrueshëm, duke sjellë gjithashtu përfitime për komunitetet lokale. Balla theksoi se partneritete të tilla ndihmojnë në krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke u shndërruar në modele suksesi për bashkëpunimin rajonal.