VIDEO/ Balluku dhe Manastirliu inspektim në Korçë për sigurinë e instalimeve elektrike në institucionet arsimore
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion në të gjithë vendin sa i takon masave të sigurisë së instalimeve elektrike, kaldajave dhe enëve nën presion, apo bombolave të gazit që përdoren në institucionet arsimore.
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në qytetin e Korçës, ku ndoqën nga afër të gjithë procesin. Drejtori Sokol Zaimi bëri të ditur të gjitha hapat që po ndiqen nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.
Ministrja Balluku tha se prej disa kohësh ka nisur një inspektim i të gjitha institucioneve arsimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit edhe me pushtetin vendor dhe të gjitha institucionet e tjera për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore. “Ne duhet të zvogëlojmë të gjithë ato problematika që janë në njësitë arsimore që janë të ndërtuara prej kohësh, ndërkohë që unë jam shumë e sigurtë që të gjitha projektet e reja i kanë kushtet dhe parametrat që duhen plotësuar dhe sigurisht ata që ndjekin kontratat do ti plotësojnë këto”, tha Balluku.
Nga ana e saj, ministrja Manastirliu tha se “dua t’ju nxis të intensifikohet ky inspektim në të gjithë territorin, duke e pasur vëmendjen qoftë në objektet të cilat janë rikonstruktuar më herët, por dhe ato që realizohen dhe përfundojnë rishtazi. Kjo, për të garantuar sigurinë në shkolla për sa i përket infrastrukturës fizike, në mënyrë që të garantojmë që të gjithë parametrat e mësimdhënies të jenë ashtu sikurse ne i duam, me sigurinë maksimale. Jemi duke punuar fort për aspekte që përkasin investimeve në shkolla, besoj dhe për ju do të jetë një punë shumë më e mirë, më e shpejtë edhe më e lehtë, kur bëhet fjalë për investime, të cilat janë të reja, të parametrave bashkëkohorë”. Janë më shumë se 3 mijë institucione arsimore në të gjithë vendin që do të jenë pjesë e kontrolleve nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.