VIDEO/ Balluku: Tirana do të zgjohet Vitin e Ri me Unazën e Madhe të plotësuar
Në lotin 1 të Unazës së Madhe të Tiranës po punohet edhe gjatë natës për të finalizuar në afat këtë projekt kompleks, por shumë të rëndësishëm për kryeqytetin dhe jo vetëm. Në të gjitha lotet po avancohet me ritme të shpejta për të bërë të mundur që kjo vepër të hapet për qarkullimin e automjeteve në fund të këtij viti.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin 1, ku janë drejt përfundimit punimet e gërmimit për formimin e trupit të rrugës, ndërsa është bërë e mundur spostimii linjave ajrore elektrike dhe atyre të ujësjellësit.
Kryeinxhinieri i kantierit sqaroi se janë realizuar më tepër se 65% e punimeve dhe pavarësisht kompleksitetit të hasur ritmi i punimeve ka qenë dhe vijon të jetë i lartë. Ndërkohë, drejtori i ARRSH tha se është avancuar ndjeshëm edhe me ndërtimin e urave dhe veprave të tjera të artit, të cilat janë pjesë e projektit.
Balluku theksoi se në lotin 1 ka pasur një kompleksitet të shtuar për shkak se ky lot lidhet me tunelet e nyjës së Shqiponjës, por edhe me rrugët e tjera urbane. Me përfundimin e këtij loti, tha Balluku, do të hapet për qarkullimin e automjeteve e gjithë unaza.
“Duam që Tirana të zgjohet me vitin e ri me Unazën e Madhe të plotësuar tashmë. Mund të ngelin disa detaje të vogla si zakonisht që kanë të bëjnë me mobilimin urban më tepër apo me çështje të tjera, sigurisht jo me sinjalistikën, pasi ne e dorëzojmë me sinjalistikë të plotë, duke qenë se siguria rrugore ka përparësi për të gjitha akset që vendosen në përdorim, por shpresoj shumë që ti qëndrojmë afateve”, shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi më tej se stafet e inxhinierëve të MIE dhe ARRSH do të jenë në gatishmëri dhe koordinim me inxhinierët e kompanive që po kryejnë punimet për të adresuar pa asnjë vonesë çdo të papritur që mund të evidentohet.
“Do jem prezent gjatë gjithë kohës për të parë ecurinë e punimeve, pasi është shumë e rëndësishme për ne ti qëndrojmë afateve të cilat kemi publikuar dhe që padyshim qytetarët mezi po presin që të përdorin një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm të Tiranës, Unazën e Madhe”,
theksoi Balluku.