VIDEO/ Beleri në pritjen që bëri Spiropali. Kryeparlamentarja: Anëtarësimi në BE, proces transformues
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri të Parlamentit Europian, të cilët ndodhen në Tiranë, për zhvillimin e mbledhjes së 18-të të këtij Komiteti.
Në pritjen që Spiropali bëri është edhe Fredi Beleri, eurodeputeti i cili ditën e djeshme u gjuajt me vezë nga një qytetar, por edhe shpërndau lajmin se nuk u prit dhe iu mbyll dera e Kryesisë së Kuvendit. Kryetari i Komitetit, Marco Tarquinio e informoi kryeparlamentaren Spiropali mbi ecurinë e mbledhjes së Komitetit dhe diskutimet me kolegët e Kuvendit të Shqipërisë.
Spiropali vuri në dukje angazhimin e Kuvendit për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit të anëtarësimit në BE, si një proces transformues, objektiv strategjik kombëtar dhe prioriteti numër një i Kuvendit, pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare të 15 tetorit, për vijimin e reformave të pakthyeshme integruese e demokratizuese, garantimin e pavarësisë së pushteteve, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë dhe luftën kundër pandëshkushmërisë.