VIDEO/ Berisha për fushatën e Ramës: Po më ndihmon me propagandën e tij banale, vulgare dhe të boshatisur
Sali Berisha thotë se kryeministri Edi Rama po e ndihmon me fushatën elektorale për 14 Majin, që po zhvillon si kryetar i PS-së. I ftuar në “Opinion”, Berisha tha edhe se fushata e PD që ai drejton, është më e zjarrta që ai ka bërë që nga viti 1992, pasi sipas tij po dalin në mbështetje qytetarë me vullnetin e tyre të lirë.
Blendi Fevziu: Duket një fushatë e tëra shumë komike.
Sali Berisha: Ajo që mund të them është se vështrimi juaj është i gabuar. Një fushatë në njërin krah, më e zjarrta që unë kam pasur që nga 1992 deri më sot.
Blendi Fevziu: Më duket se i ke harruar fushatat e para.
Sali Berisha: Absolutisht më e zjarrta. Fushata që shihni ka një bazë njerëzish që kanë ardhur në bazë vullneti dhe në asnjëlloj detyrimi tjetër. Një fushatë e cila ka një zjarr të brendshëm, e cila quhet frymë, por është absolutisht përcaktuese për fitoren, është fitore. Dhe po më ndihmon me propagandën e tij banale, vulgare të boshatisur, por të bazuar në truke komunikimi, Edi Rama. Unë kam fakte për këto që them. Ai ka strategji që e detyron atë të mos vijë sonte ballë përballë dhe të ja numërojmë njëri-tjetrit para shqiptarëve jo vetëm programet tona, por edhe të gjithë jetën tonë politike, por nuk vjen dot ai këtu sepse këtu i del baxhanaku me 110 tendera, i dalin sarajet e Surrelit.