VIDEO/ Bushati-Moisiu në Public Square: Të duash vendin tënd. Ish-presidenti beson te SPAK, por ka kritika për ngadalësi

Ditmir Bushati në podcastin e tij ”Public Square”, diskutoi me të vetmin president konsensual në Shqipëri, Alfred Moisiu. Në fjalën e tij, Bushati thotë që shumëçka ka ndryshyshuar që atëherë por nevoja për ndryshim cilësor, vetëdije kombëtare, qeverisje të pastër dhe ushtrim të përgjegjësive politike, është më e madhe se kurrë.

Duke folur mbi situatën me drejtësinë, ish-presidenti Moisiu thotë se beson te SPAK ndonëse ka kritika për ngadalësi. “Kam kritikuar dhe që njerëzit që do punojnë në drejtësi, duhet të jenë njerëz të çliruar nga disa mentalitet dhe duhet të mendojnë vetëm për detyrën. Ne jemi vend i vogël dhe ti nuk je vetëm ti, ke një grua, një motër, një vëlla, një djalë a vajzë. Keta janë ustallarë, pasi sulmojnë ato e jo ty, që ta ndjesh ti dhimbjen dhe të kesh presion familjar në fisin tënd. Duhen zgjedhur njerëz që janë të vendosur”.

Atdheu

Për ish-Presidentin Moisiu ndjenja që kemi ne për atdheun nuk mund të jetë një gjë e improvizuar. Duhet të jetë e lindur, e edukuar. “Shpesh herë e kam thënë edhe kur kam shkuar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në takime të ndryshme me shqiptarët, u kam thënë që, unë i përkas një brezi që në‘36-’37- ën këndonim në shkollë “për Kosovë e Çamëri, ja vdekje ja liri”. Kalamaj ishim, po ama ndjenjën e kishim”, vijon ai. Njeriu me një karrierë të gjatë nën uniformë kujton vitet si student dhe si në atë kohë ka kultivuar ndjenjen për atdheun. “Konvikti ishte regjim ushtarak dhe nuk levizje, por të shtunë e të dielë shkoja në Bibliotekën Kombëtare dhe i kam lexuar librat e parë “Për mbrojtjen e atdheut” dhe “Lulja e kujtimit” dhe janë librat që më kanë edukuar pse dhe si duhet ta duash vendin, kombin tënd. Kjo është shumë e rëndësishme”, thotë ai.

Shekulli i shqiptarëve

Ky shekull, nëse mund ta quajmë kështu, është shekulli i shqiptarëve. Sipas ish-Presidentit kemi vendosur shumë të drejta që më në fund na i kanë dhënë dhe tjerët. Mund të themi që Europa ka pasur një impakt, jo dhimbshurie, por ka reflektuar në mënyrë pozitive duke negativizuar veprimet e kaluara. Por, prapë po ta shikosh nguron se janë tendencat e vjetra. Unë kam folur kudo në konferenca ku më është dhënë rasti që, ‘shikoni, lodheni kot me Vučić, nuk mund të bëhet Vučić perëndimor, ka marrë fund’.

Ne po e shpërdorojmë kohën që na ka vënë historia nëdispozicion dhe duhet të bëjmë kthesë. “Unë i kam bërë thirrje dhe Akademisë tonë të Shkencave edhe Akademisë të Shkencave të Kosovës dhe politika jonë e mbrojtjes duhet të jetë kombëtare. Ne duhet të mbrohemi si komb. Nuk bëhet duke bërë ca thirrje jepi kaq para Kosovës, nuk është problemi aty. Problemi është tek mentaliteti. Kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Kosovës dhe presidenti i Shqipërisë përsa i përket mbrojtjes si komb duhet të kenë mendime të përbashkëta. Që në fakt nuk i kanë”, përfundon Moisiu.

Ditmir Bushati & Alfred Moisiu - Të duash vendin tënd - Public Square

SHKARKO APP