A ka forcë Berisha për zgjedhje të parakohshme?
Nga Daniel Muçaku-
Ish-kryeministri Berisha në sulmet ndaj Lulzim Bashës ka premtuar se do të fillojë protestën e madhe kundër kryeministrit Rama mënjëherë sapo të shkarkohet kreu aktual i PD-së, Basha, në Kuvendin e datës 11 dhjetor.
Bile Berisha ka thënë se këto do jenë protestat më të mëdha të këtyre 30 viteve. Por mbetet të presim për të shikuar se sa do bëhet realitet ky premtim berishian, sepse pritet që edhe Ilir Meta pas mbarimit të mandatit në korrik do të zbresë në fushën e betejës. Por nëse Presidenti Meta shkarkohet nga gjykata kushtetuese në janar të vitit të ardhshëm, atëhere stina e protestave ofrohet dhe nuk pret vjeshtën e ardhshme për Ilir Metën.
Nuk dihet nëse ka ndonjë kalkulim planesh mes ish-kryeministrit demokrat dhe presidentit aktual, porse një gjë është shumë e qartë që nëse të dy zbresin bashkërisht në bulevard, atëhere do të ketë probleme serioze për mazhorancën aktuale e sidomos për kryeministrin Rama.
Një gjë mbetet publike, pra ato që ka thënë Sali Berisha nëpër Foltoret, ndërsa planet e Ilir Metës mund të hamendësohen, pasi akoma nuk dihet si shkon dosja e tij në gjykatën kushtetuese në muajin janar.
Në të gjitha variantet e mundshme një është e sigurtë që Berisha do thërrasë popullin në protestë në sheshin para kryeministrisë. Burimet tregojnë se do të jetë fill pas Kuvendit, ashtu sikurse ka edhe informacione se pas Kuvendit të datës 11 dhjetor, do të hapet gara për zgjedhjet e kryetarit të ri të PD-së sipas parimi “një anëtar-një votë”.
Por demokratët janë inkurajuar nga Berisha për protesta dhe nuk mund të zhgënjehen prapë, pasi atëhere nuk do te ketë njeri që beson më tek PD-ja.
Prandaj nga të gjitha llogaritë politike të momentit del linja kryesore e protestave me përballje dhe jo vetëm sa për të marshuar 100 mijë vetë në bulevard, pasi kryeministri Rama ka dhënë prova se ka plot magazinat me gaz lotesjellës. Bile flitet se ka furnizime edhe për 5 vite protesta.
Demokratët te ish-kryeministri Berisha presin që të detyrojë Edi Ramën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme në pranverën e ardhshme. Në qoftëse flitet vetëm që të ndërrohet kryetari dhe gjithçka të vazhdojë siç ishte, atëhere PD-ja shkërmoqet dhe shkrihet si parti. Ndaj nuk ka zgjidhje tjetër për demokratët, PD-në dhe Berishën, përveçse PROTESTA DHE DEMONSTRATA.
Nga ana tjetër Kryeministri, ndonëse ka synim vitin 2025 apo edhe më tej në krye të qeverisë, në qoftëse përballet fort me opozitën e bashkuar apo nëse edhe Ilir Meta zbret të sheshi para zyrës së Edi ramës; nuk ka zgjidhje tjetër për mazhorancën përvecse pranimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Me zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të kemi ndryshim qeverisje. Cdo variant tjetër mban e blindon Edi Ramën në pushtet për shumë vite.
Opozita ka nevojë për shkundje dhe përballje me kryeministrin, sepse po të vazhdojë PD-ja këtë lojën e gjoja sulmit në parlament, kur Edi Rama nuk pyet, por vetëm tallet me ta; më mirë të mos bëjë ndryshime se kemi përbukuri Lulzim Bashën.
Berisha ka emrin e tij në lojë dhe nëse dështon në premtimet që po bën se do të organizojë protestat më të mëdha të këtyre 30 viteve, më mirë të shkojë te shkruaj libra apo të jap leksione.
Ndaj ose përballje dhe zgjedhje të parakohshme ose ikni në shtëpi të dy, Basha bashke me Berishën!