Video editorial i “Koha Jonë”: Për rilindjen emigrantët nuk janë qytetarë shqiptarë
Video editorial i “Koha Jonë”: Rilindja nuk i quan emigrantët shqiptarë!
Ajo që ndodhi në Kakavijë dhe Kapshticë javën e fundit do të mbahet mend si turp kombëtar. Qeveria e Shqipërisë që ka detyrim për tu kujdesur për shtetasit e saj nuk mori asnjë masë për shmangien e dramës së mijëra qytetarëve që u bllokuan në kufi. Tortura disa ditore e fëmijëve, grave dhe të moshuarave fatkeqësisht ishte e paralajmëruar. Dokumentet e Ambasadës shqiptare në Athinë treguan se qeveria ishte në dijeni për atë që do të ndodhte që 15 ditë më parë. Në mënyrë të papërgjegjshme lejuan që kaosi dhe vuajtjet ndaj qytetarëve tanë të vazhdonte për ditë me radha duke i kthyer doganat në një vend ndëshkimi.
Qytetarët nuk u njoftua në kohë dhe kriza nuk u parandalua. Por kishte dhe një mënyrë tjetër sesi qeveria mund ta bënte më pak të dhimbshme dramën e qytetarëve të saj në kufi. Qeveria Greke në mënyrë të njëanshme vendosi se kryerjen e testimeve për koronavirusin dhe përkthimin e rezultateve në anglisht. Sado të mos biem dakord me tekat e palës greke, kjo kërkesë ishte plotësisht e realizueshme. Mjafton që qeveria të ngrinte laboratorë në qytetet kufitare dhe kushdo që do të udhëtonte drejt Greqisë t’i bënte analizat brenda pak orësh aty. Analizat mund të bëheshin falas ose me një shumë modeste në krahasim me vlerën reale. Kjo nuk u bë dhe pasojat i pamë për pesë ditë me radhë kur vendi hyri në një krizë humantiare.
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PS-së që këshillon Edi Ramën për financat dhe politikat shëndetësore, Ilir Beqaj, sot ka dhënë një sqarim se përse nuk u bënë testet falas. Argumenti është i thjeshte dhe bazohet të ekonomia. Sipas tij, testet kushtojnë dhe ata që ishin në kufi janë shqiptarë, një pjesë me pasaporta greke, që taksat i paguajnë te shteti grek. Në këtë mënyrë, sipas rilindjes, përse duhen të paguajmë ne për shëndetin e njerëzve që taksat ja japin grekut!!.
Pas tmerrit 6 ditorë, vuajtjeve në të nxehtin e gushtit, mungesës së ushqimeve dhe ujit, logjika e fundit e rilindjes për testet, ngjan si një tjetër goditje e rëndë mbi supet e emigrantëve shqiptarë. Argumenti se nuk japim lekë për këta i që paguajnë taksa në Greqi fyen miliona shqiptarë që janë jashtë atdheut. Fyen gjithashtu dhe familjet e tyre këtu që mbajnë shpirtin gjallë me lekët që u vijnë nga jashtë. Në 30 vite, emigrantë si ata që u trajtuan si bagëti në kufi nga Rilindja, kanë mbajtur në këmbë ekonominë e shteti dhe kanë ardhur për të votuar edhe rilindjen që sot i përbuz. Këta emigrantë jo vetëm mbajnë ekonominë pjesës më të madhe familjeve në Shqipëri, por janë të vetmit që kthehen dhe investojnë në vend, kur asnjë biznes i huaj nuk vjen. Emigrantët janë ajo pjesë e shoqërisë që kanë financuar dhe kanë ringritur ekonominë, sa herë që rilindja dhe qeveritë para saj e kanë kthyer shtetin në gërmadhë. Këta emigrantë po financojnë edhe sot strukturën e dështuar qeverisje të rilindjes që marrjen borxh ka të vetmin investim. Miliona shqiptarët që kanë ikur jashtë vendit nuk kanë pritur fletë lavdërimi dhe as mirënjohje nga qeveritë, por të paktën të trajtohen si qytetarë normal kur vijnë dhe ikin nga familjet e tyre. Ato pesë lekë të testeve që rilindja nuk i nxjerr nga xhepi, emigrantët i kanë paguar me qindra herë kur vijë në Shqipëri për turizëm. I kanë paguar kur investojnë apo edhe kur u dërgojnë kursimet familjarëve këtu. Me krizën në kufi, Rilindja u dha mesazhin më të gabuar që një qeveri mund të japë. U tha se nuk njeh më as pjesë të shtetit të tij. Qëndrimi i deklaruar i ish-ministrit dhe ato që kupola e rilindjes nuk i tha, por i bëri me vepra është një arsye më shumë se përse shqiptarët në Greqi nxitojnë të marrin pasaporta të vendit helen. Sepse këtu jo vetëm nuk i duan. Jo vetëm nuk i ndihmojnë, por në rastin më të parë, edhe atë pak krenari shqiptare që duan ta ruajnë ua shkel me këmbë qeveria jonë në kufi.