Video editorial i “Koha Jonë”: PS tërhiqet pas presionit ndërkombëtar. Do votojnë reformën
Video editorial i “Koha Jonë”: PS tërhiqet pas presionit ndërkombëtar. Do votojnë reformën
Brenda 24 orëve Partia Socialiste ka bërë një hap të fortë pas lidhur me miratimin e reformës zgjedhore. Në mbledhjen e grupit parlamentar të selisë rozë, Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla ka deklaruar se reforma zgjedhore do të miratohet më 23 korrik, një javë para afatit të përcaktuar. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor do jenë në bazë të marrëveshjes së miratuar më 5 qershor mes PS, PD dhe LSI. Nga ajo që ka dalë nga diskutimet në mbledhjen e PS pritet që të mos ketë surpriza me ndalim koalicionesh zgjedhore apo ndryshim të rregullave të lojës sipas kërkesave të gjasme opozitës parlamentare. Parimisht, nëse Edi Rama nuk ka rezervuar ndonjë surprizë të minutave të fundit, PS ka pranuar marrëveshjen me opozitën reale dhe do t’a zbatojë atë.
Nga ajo që është vendosur, socialistët kanë hequr dorë nga listat e hapura, ndalimi i koalicioneve dhe vendosja e pragut elektoral 5 %. Të gjitha këto kërkesa janë thënë me gojën e deputetëve anonimë të opozitës false në Kuvend, por dihet se pas tyre qëndronin idetë e Rilindjes. Qëllimi nuk ishte që PS të bëjë një kod elektoral më të mirë që garanton zgjedhje të lira, por me këto kërkesa sigurohet përçarja e votës së koalicionit opozitar dhe lihen hapësira për manipulimin e zgjedhjeve.
Por çfarë ndodhi që rilindja u zbyth brenda pak orësh nga kërkesat e saj? Pak ditë më parë pesë ambasadorë të vendeve të BE dhe SHBA kanë zhvilluar një takim jo publik me kreun e qeverisë, Edi Rama. Tema kryesore e takimit ka qenë miratimi i reformës zgjedhore në Kuvend dhe zbatimi i marrëveshjes politike të 5 qershorit. Marrëveshja në fjalë është produkt i ndikimit të drejtpërdrejtë të Ambasadës së SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe. Madje dhe firma e përfaqësuesve të PS, PD dhe LSI për këtë marrëveshje u hodh në rezidencën amerikane në Tiranë. Ambasadorët i kanë kujtuar Edi Ramës se rrëzimi i kësaj marrëveshje, në mënyrë të njëanshme nga PS, do të pengonte negociatat me BE, por do të hidhte në kosh edhe investimin ndërkombëtar për paktin me opozitën. Mesazhet e ndërkombëtareve kanë qenë të qarta dhe rrëzimi i marrëveshjes nga PS do të pasohej nga qëndrime të forta diplomatike kundër qeverisë së tij. Zbatimi i marrëveshjes është kërkuar nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe nga gjithë zyrtarët e BE. Loja që ka ndërmarrë kreu i qeverisë do të thotë një tallje jo vetëm me opozitën, por dhe ambasadorët dhe personalitetet ndërkombëtare.
Sot në zyrën e numrit dy të PS, Taulant Balla ka mbërritur Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. Takimi është zhvilluar para seancës parlamentare dhe tema kryesore ka qenë pikërisht reforma zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së është dhe njeriu që mban bllokun e votave në Kuvend. Është njeriu afër Edi Ramës që e di me sa vota do miratohet një ligj para se të hidhet në votim. Me zell rilindas të spikatur, Balla menaxhon po aq mirë sa grupin e PS , por edhe deputetët e gjasme opozitës. Siç thuhet në korridoret e PS, ishte ai që i mblodhi me kokrra gjithë ata që morën mandatet që dogji opozita dhe i orienton votat e tyre sipas interesave të rilindjes. Në këtë mënyrë, Balla është njëkohësisht kryetar i grupit të PS dhe kryetar i grupit të gjasme opozitës, duke shënuar një rekord në historinë e parlamentarizmit shqiptar.
Pikërisht për shkak të këtyre manovrave, që ambasada i di po aq mirë sa gjithë të tjerët, takimi i sotëm kishte për qëllim votimin e reformës zgjedhore. Pas këtij takimi nga PS doli lajmi se reforma do kalojë pa ndryshime më 23 korrik.
Pra me pak presion ndërkombëtar, Rilindja që bën si e fortë me popullin e saj, para ambasadoreve tërhiqet dhe nuk ia mban të thotë se nuk e votoj. Problemi nuk është të votoj vetëm PS-ja, por edhe deputetët e opozitës të cilët janë numra që i përdorë Rama sa here don, e që përherë votojnë siç urdhëron Taulant Balla.