Video editorial i ”Koha Jonë”: Rilindja lartëson serbët dhe rrëzon Veton Surroin

Nga Mili Xhani-

Drejtuesit e pushtetit vendor në Kukës kanë marrë dje një vendim skandaloz. Këshilli i Qarkut i ka hequr titullin “Qytetar Nderi” shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Veton Surroi. Arsyeja e një vendimi të tillë është dhe më skandaloze sesa vet akti. Sipas hartuesve të vendimit, Veton Surroi ka folur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gafa e bërë nga socialistët në Kukës është e përmasave shokuese, gjë që detyroi edhe kryeministrin Edi Rama të reagonte me shpejtësi, pasi e pa se idiotsia e tyre po ia rrëzonte përtokë edhe ato pak kuota që i kanë mbetur në Kosovë. Pak orë pas vendimit, kryeministri pranoi se Këshilli i Kukësit “ka lajthitur” dhe se Prefekti i këtij qarku duhet të mos e miratojë heqjen e titullit. Kreu i qeverisë e hodhi fajin te anëtarët e Këshillit të Qarkut, por dëmi i asaj që është bërë nuk zhbëhet më. Vendimi i socialistëve të Kukësit nga pikëpamja juridike është një budallallëk i përmasave të padëgjuara ndonjëherë.

Titujt dhe vlerësimet honorifike, pasi janë dhënë nga institucionet, nuk mund të hiqen më. Kryeministri Rama dhe të tjerë në PS që marrin vesh nga ligjet e dinë këtë marrëzi dhe vendimi nuk do të hyjë kurrë në fuqi. Por budallallëku i socialistëve dje në Kukës, vlen të analizohet për mesazhet që jep në shoqërinë shqiptare dhe atë të Kosovës. Arsyeja e heqjes së titullit është fyese për shqiptarët andej dhe këtej kufirit. Këshilltarët e PS-së thonë se Veton Surroi ka folur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thjesht ideja që në Shqipëri dikush merr vendimin për të hequr një titull honorifik të një personaliteti si Veton Surroi është një akt fyes për të gjithë kombin. Surroi nuk është thjesht një shkrimtar, publicist dhe botues në Kosovë. Është njëherazi dhe një nga firmëtarët e Marrëveshjes së Rambujesë, e njëjta marrëveshje që pak muaj më pas bëri që UÇK të trajtohej si aleate e NATO-s. Në punën e tij si përfaqësues i shoqërisë civile, Surroi ka denoncuar më shumë se të tjerë në botë krimet serbe në Kosovë. Ta klasifikosh Surroin si kundër UÇK-së është një marrëzi që edhe serbët nuk kanë guxuar ta bëjnë deri më sot. Megjithatë socialistët në Kukës e morën përsipër këtë akt duke tejkaluar dhe parashikimet e serbëve.

Skandali i djeshëm vlen të shihet dhe në kontekst pak më të gjerë. Nuk është se anëtarët e Këshillit në Kukës u çmendën një ditë dhe vendosën të sulmojnë Veton Surroin. Vendimi i tyre lidhet me kritikat që Veton Surroi ka bërë personalisht ndaj Edi Ramës. Vitet e fundit, me shkrimet dhe analizat e tij në mediat e Tiranës dhe Prishtinës, Surroi ka kritikuar Edi Ramën për mbështetjen që i ka dhënë idesë së shkëmbimit të territoreve të Kosovës. Surroi ka kritikuar hapur bashkëpunimin e Edi Ramës me Vuçiç në dëm të Kosovës dhe dobësimin e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Pak ditë më parë, Veton Surroi kundërshtoi dhe fushatën e Partisë Socialiste kundër Lulzim Bashës rolin e tij si zyrtar i UNMIK. Mbështetja që Surroi i ka dhënë Bashës duke se ka sjellë dhe shpërthimin e Rilindjes kundër tij. Ndaj akti i Këshillit të Qarkut, pavarësisht se Edi Rama i cilëson anëtarët e saj si “të lajthitur” është një vendim i marrë si shërbim ndaj kryeministrit Edi Rama. Hakmarrja ndaj Surroit është në stilin e Rilindjes, ku kushdo që sulmon Edi Ramën linçohet dhe fyhet publikisht nga zyrtarët e PS.

Këshilli Bashkiak i Kukësi dhe gjithë bashkitë e vendit janë të PS. Anëtarët e Këshillit janë të PS dhe vendimi i djeshëm, me apo pa urdhër të kryeministrit ngjan si një hakmarrje politike e Edi Ramës për Veton Surroin. Anulimi me nxitim nga Rama i vendimit për heqjen e titullit nuk e zhbën skandalin. Edi Rama dhe Rilindja kanë nderuar në mes të Tiranës artistë si Goran Bregoviç, një nacionalist serb që ka mbrojtur krimet serbe në Kosovë dhe i ka frymëzuar ato. Ndërsa Veto Surroit, një intelektual që i bën nder Kosovës dhe Shqipërisë, trajtohet si një keqbërës nga Rilindja. Ky është një turp kombëtar që tregon se nuk kanë “lajthitur vetëm këshilltarët e Kukësit”, por gjithë Rilindja mbetet një sekt i rrezikshëm kriminal.

SHKARKO APP