VIDEO/ Ekspozita për Paolo Rossin çelet në Tiranë, Rama: Për ne futbolli ishte një dritare e botës
Ekspozita unikale e koleksionit të Paolo Rossit, djalit të artë të futbollit italian, është çelur këtë të enjte në Muzen Kombëtar. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoni, tha se kush ka parë futboll në atë kohë nuk duhet ta lerë pa parë këtë ekspozitë të rrallë. Rama vlerësoi se Paolo Rossi shkoi përtej limiteve, por asnjëherë nuk humbi buzëqeshjen.
“Hapim dyert të mikpresim të gjithë ata që duan për të bërë këtë shëtitje në të shkuarën dhe të mendojnë për të ardhmen. Ne këtu në Shqipëri kemi përjetuar futbollin në një mënyrë shumë të ndryshme dhe kemi shijuar këtë triumf të Italisë në botërorin e ’82 në një mënyrë komplet ndryshe se ne ishim jashtë bote dhe nuk kishim mundësinë që të udhëtonim dhe të shikonim televizionin përveç ekranit të propagandës së regjimit”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë theksoi po ashtu se ideja për çeljen e kësaj ekspozite në Tiranë ishte e legjendës së futbollit botëror Arrigo Sacchi. “U ndjeva i nderuar dhe krenar që Arrigo propozoi këtë ekspozitë. E di që Arrigo nuk është një person i lehtë dhe nuk bën ndere, por mendon atë që thotë dhe thotë atë që bën, që është një gjë shumë e rrallë”, tha Rama.
Ekspozita organizohet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me ambasadën italiane në Tiranë. Ekspozita tregon jetën e Paolo Rossit dhe legjendave të futbollit ndërkombëtar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 shkurt.