VIDEO/ Java e kulturës Shqipëri-Kosovë, Rama: Një larmishmëri aktivitetesh. Kulmon me koncertin e Dua Lipës
Prej datës 21 nëntor, deri më 30 nëntor në Tiranë e jo vetëm, po mbahet java e kulturës Shqipëri-Kosovë. Kryeministri Edi Rama thotë një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj jave.
Postimi i plotë
Java e kulturës Shqipëri-Kosovë deri më 30 Nëntor, në kuadër edhe të Festave Kombëtare. Një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj jave në eventet që do të mbahen Tiranë, e qytete të tjera të vendit.
Aktivitetet do të kulmojnë në datën 28, për Festën e Pavarësisë, me koncertin e Dua Lipës, në sheshin “Skënderbej”, ndërkohë që i shumëpritur mbetet edhe koncerti i virtuozit Tedi Papavrami, në datën 25 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, apo shfaqja e filmave si “Liqeni Im” i Gjergj Xhuvanit e “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” i regjisorit Fatmir Koçi, në Tulla Culture Center.
Organizatorët e Javëve Kulturore kanë përfshirë në këto aktivitete edhe shumë artistë nga Kosova, si soprano Besa Llugiqi, Baletin Kombëtar të Kosovës si dhe grupin e mirënjohur Jericho që është planifikuar të performojë tek Pazari i ri.