VIDEO/ Këngë dhe valle tek selia blu për marrjen e vulës. Sali Berisha: Sot dera është e hapur, i humbur është Rama
Pas një beteje maratone, Gjykata e Apelit vendosi këtë të martë që t’i jepte vulën e PD-së, ish-kryeministrit Sali Berisha, ka nisur festa në selinë blu. Militantët kanë ”pushtuar” selinë blu, ndërsa kanë nisur me vallë dhe këngë. Deputetët kanë shpërthyer në festë, pasi Gjykata e Apelit i ka dhënë vulën dhe logon e PD-së liderit demokrat, Sali Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha në një reagim në Facebook, shkruan se dera është e hapur për të gjithë. Për të fitoi demokracia dhe se i vetmi i humbur sot është Edi Rama.
”Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonua, shpëtimin e Shqipërisë. O sot o kurrë”,-shkruan Berisha.
Postimi i plotë nga Sali Berisha
Mesazh për anëtarët dhe mbështetësit e PDSH! Të dashur demokrate dhe demokratë, simpatizante dhe simpatizantë të PD. Sot është dita të falënderoj dhe të përulem me respektin më të madh para çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në kuvendin e 11 Dhjetorit!
Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët! Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, në 1992 në rrëzimin e diktaturës, në 97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken! Qëndruan për Flamur! Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet.
Por sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me Flamurin e saj pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rrethe Flamurit te pamposhtur të betejave tona.
Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonua, shpëtimin e Shqipërisë!
O sot o kurrë!