VIDEO/ Kryeparlamentarja Spiropali: Buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të rritjes ekonomike

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në një mesazh në Facebook i është drejtuar qytetarëve për shqyrtimin e buxhetit dhe veprimtarisë së Komisioneve Parlamentare, ku tha se këto janë ditë të rëndësishme. Ajo ndau me publikun disa tregues të veprimtarisë intensive të komisioneve të përhershme dhe të posaçme dhe rëndësinë e konsultimit parlamentar me qytetarët, publikun, ekspertët, grupet e interesit dhe median.

”Në të jetësohet vizioni ynë i qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, cilat do të jenë prioritetet tona, ku do të përqendrojmë investimet publike, si do të përdoren burimet kombëtare financiare e njerëzore, për të përmirësuar mirëqenien e çdo komuniteti, çdo familjeje, çdo qytetari”, tha Spiropali.

Po ashtu kryetarja e Kuvendit nënvizoi se buxheti është hartuar, do të shqyrtohet e do të miratohet nëpërmjet një procesi të hapur, transparent e gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë. Në këtë kontekst, ajo përgëzoi angazhimin e çdo deputeti të shumicës apo pakicës në Kuvend, për të marrë pjesë, diskutuar, kritikuar e përmirësuar projektbuxhetin.

”Treguesit e parashikuar garantojnë zhvillimin e rritje, por edhe përkthimin e këtyre treguesve në mirëqenie për qytetarët. Do të rriten financimet nga buxheti i shtetit për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën dhe energjinë etj. Buxheti do të garantojë rritjen e nivelit të pagave e të gjithë punonjësve të administratës vendore dhe do të mbështesë sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave e përfitimeve edhe për punonjësit e sektorit privat”, tha më tej ajo.

SHKARKO APP