VIDEO/ Ceremonia zyrtare për Ditën e Pavarësisë në Pallatin e Brigadave

Në Pallatin e Brigadave, sot në mbrëmje, u zhvillua pritja shtetërore e organizuar nga Presidenti Ilir Meta me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, si dhe ambasadorë dhe personalitete të huaja të ftuara për festat e flamurit.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/292320848068947/

Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, Presidenti Ilir Meta u ndal dhe në problematiket kryesore të vendit. “Kremtojmë kryefestën tonë kombëtare. Historia është një kujtesë për brezat, për mos t’u harruar. Vepra e Skënderbeut është sa shqiptare aq dhe Europiane. Funksionimi i shtetit kërkon dialog të qëndrueshëm. Emigracioni, këmbanë alarmi për klasën politike’, tha presidenti Meta në fillim të fjalës së tij.

Presidenti Meta u shpreh se Shqipëria duhet të zgjidh çështjet e emigracioni, ndërsa tha se ‘kjo është kambanë alarmi për klasën politike për të krijuar kushte për të rinjtë. Sfidat kërkojnë bashkëpunim për një klimë politike konstruktive, ku të drejtat njerëzore duhet të jenë prioritet i të gjithëve”.

Fjala e Presidentit të Republikës, Ilir Meta:

“Jemi mbledhur për të kremtuar së bashku 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit, Krye-festën tonë Kombëtare.

Kjo është një ditë që na bën krenarë për luftën dhe sakrificat e popullit tonë në shekuj.

Është një ngjarje që na bën të ndihemi mirënjohës pafund për Rilindasit tanë të mençur, trima dhe të ditur që pavarësuan Shqipërinë në një prej periudhave më të vështira të ekzistencës dhe të historisë së saj.

Është një moment historik që na bashkon më shumë se kurrë në rrugën e lirisë, sovranitetit dhe përparimit të gjithanshëm.

Ditën e Flamurit e festojmë këtë vit në jehonën e përkujtimit të veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Historia dhe vepra e tij është sa shqiptare po aq edhe evropiane, që dëshmon nyjet e pafundme të shqiptarëve me Evropën, si pjesë të pandashme të saj.

Këtë ndjenjë e përjetova edhe në takimet e përzemërta me vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku, me arbëreshët e Italisë dhe me arbanasit e Zadarit, pikërisht në këtë vit jubile të 550-vjetorit të “lartësimit në përjetësi” të heroit tonë kombëtar.

Më shumë se kurrë më parë, në këtë vit u bashkuan dy 28 Nëntorët e lavdishëm: 28 Nëntori i vitit 1443 në Krujë dhe 28 Nëntori i vitit 1912, kur shtetari i sprovuar, Ismail Qemali ngriti Flamurin kuq e zi në Vlorën e lavdishme.

Këto dy 28 Nëntorë janë të lidhur pazgjidhshmërisht, si vazhdimi integral i një historie, identiteti, kulture, gjuhe, ëndrre dhe aspirate liridashëse të popullit shqiptar.

Ndërmjet dy 28 Nëntorëve historikë, ky vit jubilar ringjalli në kujtesën e popullit tonë dhe një prej monumenteve më të mëdha të rrugës sonë drejt pavarësisë, 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Këtë Nëntor kemi përkujtuar me nderim, respekt dhe mirënjohje të veçantë 110 Vjetorin e Kongresit të Manastirit, që i dha shqiptarëve alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe, si gjuhë evropiane.

Kongresi i Manastirit dëshmon se populli ynë dhe bijtë e tij më të mirë luftuan me pushkë dhe penë, me armë dhe kulturë, me gjak dhe dituri.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Popuj të mençur dhe të suksesshëm janë ata që dinë të krenohen me vlerat historike, por edhe që dinë të nxjerrin mësime nga historia e tyre.

Historia është libër i madh.

Është kujtesë për gjithë brezat.

Historia është plot mësime për të mos u harruar.

Është plot me vlera për t’u ruajtur e zhvilluar.

Në rrugëtimin e tij historik e kulturor populli shqiptar është një prej identiteteve më autoktone dhe autentike në Evropë.

Nëse historia në mënyrë të pamëshirshme dhe të padrejtë tentoi të na ndante, me luftën, sakrificat dhe përpjekjet e paepura, populli shqiptar arriti të mbijetojë dhe të afirmohet si identitet historik, kulturor dhe europian deri në ditët tona.

Kohët kanë ndryshuar, por trashëgimia e vlerave identitare dhe kulturore, si dhe parimeve shtetformuese, që lanë pas që nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu e deri tek Ismail Qemaili dhe shumë patriotë mendjendritur të Rilindjes sonë kombëtare, janë apeluese e aktuale edhe sot e kësaj dite.

Kthimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen evropiane është një mision ende i papërmbushur tërësisht për ne.

Epoka moderne e globalizimit me gjithë përfitimet e saj në zhvillimet ekonomike dhe në progresin teknologjik, mbart kërcënime dhe rreziqe për asimilimin kulturor dhe identitar të kombeve dhe popujve.

Ne shqiptarët, jemi një nga popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por fatmirësisht ia kemi dalë të ushqejmë dhe të përçojmë brez pas brezi, kudo ku jetojmë, dashurinë për atdheun dhe identitetin kombëtar, për gjuhën dhe kulturën, për traditat dhe zakonet e të parëve tanë. Prandaj, edhe diaspora jonë sot është një vlerë e jashtëzakonshme e kombit shqiptar.

Të dashur miq,

Duhet të bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mpaket nga emigracioni që po gërryen çdo ditë energjinë dhe potencialin e rinisë shqiptare, dhe bashkë me të edhe aftësinë ripërtëritëse e të pazëvendësueshme për përparimin e nesërm të vendit.

Kjo është një këmbanë alarmi për klasën politike, për të ofruar besim, siguri e mundësi më të mira, më të shpejta e më të qëndrueshme për të rinjtë dhe për forcat më krijuese të shoqërisë.

Sfidat aktuale që po përjetojmë kërkojnë klimë bashkëpunuese, ndjenjë të lartë të unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare.

Shqiptarët kanë nevojë për forcimin e bashkëjetesës demokratike, për një klimë politike konstruktive, për një paqe sociale ku respekti ndaj lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

Duhet reflektim nga të gjithë, për një mjedis më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës, për më shumë siguri juridike për pronën, për punën dhe të drejtat e njeriut.

Funksionimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kërkon dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës.

 Të dashur të ftuar,

Shqipëria është atdheu ynë i dashur dhe i bekuar, me bukuritë natyrore, me pasuritë e konsiderueshme dhe me energjitë dhe talentin e jashtëzakonshëm njerëzor.

Shpresa dhe entuziazmi ishin tiparet zotëruese të shqiptarëve dhe liderëve të tyre në shekujt e errët dhe tragjik të historisë.

Shpresa dhe entuziazmi na nevojiten sërish më tepër se kurrë për motivimin dhe ngjalljen e energjive të reja dhe më pozitive drejt të ardhmes Evropiane të Shqipërisë.

Shpresën dhe entuziazmin e mbajnë gjallë forcimi i bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar; e ushqejnë hapat e shpejtë dhe të sigurt drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE; respekti rigoroz për Kushtetutën dhe ligjin; lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; forcimi i institucioneve të pavarura dhe demokracisë; zhvillimi i drejtë ekonomik dhe shoqëror; kontributi për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon dhe kudo në botë; qëndrim dinjitoz përkrah aleatëve strategjikë, SHBA dhe Bashkimit Evropian.

Një Shqipëri e lirë, sovrane, demokratike dhe e zhvilluar, tërësisht e integruar në familjen Evropiane është burim krenarie dhe frymëzimi për të gjithë bashkombësit tanë kudo në botë.

Ndaj, në këtë ditë të madhe të bashkimit kombëtar, i uroj gjithë shqiptarëve – Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!”

SHKARKO APP