VIDEO/ Masa shtesë për sezonin veror, ministri Balla: Policia në gatishmëri për sigurinë dhe trafikun rrugor

Policia e Shtetit ka shtuar gatishmërinë për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Nga Lezha, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se Shqipëria po bëhet gati të presë 14 milion turistë. Për të Policia duhet të fokusohet edhe tek siguria rrugore.

“Sa i përket sezonit turistik, Lezha është shumë e rëndësishme, për shkak të numrit të madh të turistëve që pret. Fluksin e turistëve që mirëpritëm në vitin 2023, duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë edhe gjatë 2024, me fokus të veçantë edhe për sigurinë rrugore. Trafik i madh, presim 14 milion turistë dhe 4.5 milion automjete në rrugët shqiptare. 4.5 milion automjete është realisht një operacion i vështirë për të garantuar rregullin dhe sigurinë në rrugë. Megjithatë unë jam shumë i sigurt që ne do të kemi një sezon turistik të qetë dhe që do ta certifikojë Shqipërinë si një destinacion turistik të sigurt”, tha Balla.

Duke vlerësuar punën e uniformave blu, Balla tha se trajtimi i duhur financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetet një nga angazhimet kryesore në Ministrinë e Brendshme.

“Shumë shpejt në ditët në vijim do të pajiseni me kartën e kreditit, përmes së cilës do të tërhiqni pagesat e ushqimit. Gjashtë muajt e parë të vitit 2024 do t’i merrni në mënyrë të menjëhershme, pra të 6 muajt bashkë, dhe pastaj, në secilin prej muajve, duke filluar nga korriku, pagesën e çdo muaji, shtuar këtu dhe faktin që do të kemi edhe një rritje të pagës së punonjësve të policisë, pra do jenë dy të mira në një ditë, siç i themi ne në traditën tone”, theksoi Balla.

SHKARKO APP