Video/ Meta: Kush do tentojë të prishë festën e shqiptarëve më 25 prill, do të bëhet kurbani i festës

Presidenti Ilir Meta ka ripërsëritur përmes rrjeteve sociale, mesazhin që përcolli mbrëmjen e djeshme lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke theksuar se kush do tentojë të prishë festën e shqiptarëve më 25 prill, ta dijë mirë se do të bëhet kurbani i festës.

“Jam i sigurt se 25 prilli është dita e rizgjimit të demokracisë dhe do të jetë një FESTË E MADHE E DEMOKRACISË.

Shpresoj, që të gjithë shqiptarët të bashkohen në këtë festë. Kush kërkon t’jua prish festën, duhet të ketë parasysh se nuk do të ndiejë askush keqardhje që do të bëhet KURBANI i kësaj feste”, shprehet Presidenti Meta teksa publikon dhe videon nga intervista e djeshme për gazetarin Besnik Sulejmani, në “TV Apollon”

Në një intervistë për gazetarin Besnik Sulejmani në TV Apollon, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi mbrëmjen e djeshme se ai po bën fushatë për demokracinë dhe mbrojtjen e Kushtetutës.

“Po, unë po bëj fushatë për demokracinë, po bëj fushatë për të mbrojtur Kushtetutën, për të ndërgjegjësuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje për të hapur një rrugë të re për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.

Presidenti theksoi po ashtu, se ka ardhur koha që shqiptarët të ndahet nga ky regjim “fake” dhe vota e lirë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky “intubim” i lirive dhe do t’i japë frymëmarrjen e munguar. Dhe në këtë kontekst, ai paralajmëroi prerjen e dorës të kujto që prek votën e shqiptarëve.

“Erdhi koha që shqiptarët të ndahet nga ky regjim “fake”. Vota e lirë do ta nxjerre Shqipërinë nga ky “intubim” i lirive dhe do t’i japë frymëmarrjen e munguar. Shqipëria duhet të dalë nga thonjtë e oligarkëve. Shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të së ardhmes së vendit. Mos e mendoni dhe aq metaforike paralajmërimin tim për prerjen e dorës të kujto që prek votën e shqiptarëve. KY PARALAJMËRIM DUHET MARRË SERIOZISHT DHE NUK ËSHTË SHAKA. Kush do tentojë të prishë festën e shqiptarëve më 25 prill, ta dijë mirë se do të bëhet kurbani i festës”, deklaroi Ilir Meta.

SHKARKO APP