VIDEO/ Ministri Gonxhja: 68.4% më shumë vizitorë në Parkun Arkeologjik të Butrintit
Parku Arkeologjik Butrint mirëpriti 200,570 vizitorë gjatë vitit 2024, 68.4% më shumë krahasuar me vitin 2023. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, thotë se vjen si rezultat i transparencës së plotë në menaxhimin dhe deklarimin e biletave, duke garantuar një administrim të drejtë dhe të besueshëm të të ardhurave.
”Parku Arkeologjik Butrint mirëpriti 200,570 vizitorë gjatë vitit 2024, 68.4% më shumë krahasuar me vitin 2023!Ky sukses vjen jo vetëm si rezultat i promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe i transparencës së plotë në menaxhimin dhe deklarimin e biletave, duke garantuar një administrim të drejtë dhe të besueshëm të të ardhurave”,-shkruan Gonxhja.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon drejt fushëgropës së Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s.