VIDEO/ Momenti i përplasjes në Kuvend. Rama: Shanë me libër shtëpie. Paloka: Kryeministri të bëjë testin e drogës

Pas 28 orësh diskutime, edhe të forta dhe me gjuhë të shfrenuar, buxheti dhe paketa fiskale për vitin 2023, u miratua në parim me 76 vota pro dhe 40 kundër, por votimi u mbyll me sherr. Në momentin kur kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi mbledhjen e deputetëve për nisjen e procesit, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj shkuan pranë kreut të qeverisë.

Video-ja e mëposhtme është momenti i tensionit në Kuvend, që çoi në kërkesën e Partisë Socialiste për të përjashtuar me 10 ditë deputetët demokratë Edi Paloka dhe Bujar Leskaj. Punonjësit e Gardës rrethojnë foltoren, ndërsa deputetët e maxhorancës dhe ata të opozitës dëgjohen teksa debatojnë me zë të lartë. Maxhoranca pretendon se deputetët e PD bënë veprime të pahijshme si dhe përdorën fjalor banal, pasi ishin të dehur gjatë seancës.

Për këtë reagoi menjëherë edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se deputetët shanë me libër shtëpie. ”Seanca u mbyll me dy të dehur nga rruga e Foltores që shanë me libër shtëpie në emër të popullit dhe mbetën pa bërtitur “Shqipëria në Rrezik!” se harruan tekstin prej alkoolit! 3 parti bedelësh pa atdhe, pa din e as iman, me dy të shitur në ballë e dyzet të shkalafitur vërdallë”,-shkruan Rama.

Deputeti Edi Paloka hedh poshtë pretendimin se kishin konsumuar pije alkoolike dhe ishin të dehur në Kuvend. Paloka thotë se përdorën justifikim qesharak pasi i kthyen përgjigje kryeministrit të cilin e quajnë ”palaco”.

Deputeti demokrat shton se është i gatshëm të bëjnë teste, por me kushtin që Rama të bëjë atë të drogës. Duke iu referuar debatit të djeshëm, Paloka thotë se nuk është marrë asnjë masë ndaj Ramës që përdori gjuhë fyese, ndërsa sot kërkohet përjashtimi i deputetëve demokrat për fyerje.

”Sa për atë justifikimin qesharak se ne paskemi qenë “të dehur” kur kemi fyer Ramën, mund të bëjmë teste të dyja palët. Po Ramës do i duhet të bej testin e drogës se e di kushdo që e njeh se nuk hyn në asnjë seancë të rëndësishme parlamentare pa i thithur ca viza kokaine”.

SHKARKO APP