VIDEO/ Nis me zjarr dhe thyerje xhamash protesta e studentëve te Ministria e Arsimit
Studentët kanë nisur protestën përpara Ministrisë së Arsimit me thirrje të fuqishme me megafon, duke hedhur flakadanë dhe gurë në drejtim të godinës duke thyer dhe xhamat e dritareve, si dhe duke kënduar me rimë:
Ju luftoni për karrige
Për studentët jeni armike!
Ju po vidhni vendin tuaj
Asnjë punë për 6 muaj!
Studentët kanë mbledhur letra shuk me të cilat “godasin’ ministrinë, të zhgënjyer që Pakti për Universitetin i premtuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria nuk sollën asnjë ndryshim në jetën e tyre.
Ata janë grumbulluar përpara ministrisë së Arsimit duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Studentët kanë parashtruar 14 kërkesa, por thonë se sot në ministri do të dorëzojnë 5 prej tyre.
“Kjo është një protestë simbolike, por edhe një mesazh që duhet ta marrë ministria e Arsimit që të plotësojë kërkesat, sepse nesër do të jemi shumë më shumë dhe nuk mund të rrimë si në dhjetor”, tha një prej studentëve.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar studentët nisën protestat masive para Ministrisë që zgjatën deri në muajin shkurt. Ata kërkuan tarifa më të ulëta si dhe përmirësimin e kushteve në universitete.
Kërkesat e studentëve
1-Reduktimi 50% i tarifës së masterit
2-Heqja e tarifave plus për provimet e prapambetura
3-Të mbahet kriteri i gjuhës së huaj dhe të jepet si provim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja me një tarifë minimale të përballueshme nga studentët.
4-Rankimi i programeve të studimit
5-Të vendoset paga minimale prej 30 mijë lekë/muaj gjatë periudhës së stazhit për studentët e mësuesisë.
6-Reforma e kurrikulave mësimore.
7-Rritja arbitrare e mesatares pa asnjë konsultim publikm me maturantët.
8-Respektimi i parimit të Procesit të Bolonjës për të drejtat që duhet të kenë studentët e programeve 2-vjeçare postsekondare për të transferuar kredite dhe për të vazhduar studime Bachelor.
9-Zbatimi i ligjit të AL për bursa ose tarifa zero për studentët që ndjekin programe në degë prioritare: IT, Gjeologji-Miniera, Inxhinieri mekanike, Energji të rinovueshme, Shkenca bujqësore dhe pyjore, Kimi, Fizikë, Matematike etj.
10-Investime urgjente për kabinete IT dhe laboratorë didaktike në çdo departament për mësimdhënie studentët e Bachelor dhe Masterit.
11-Rritja e peshës së votës studentore në masën 25%.
12-Rritja e përfaqësimit të studentëve në senatin akademik.
13-Anulimi i zgjedhjeve për anëtarin e bordit të administrimit përfaqësues i studentëve në çdo Universitet dhe përcaktimi i një baze ligjore të saktë dhe të qartë mbi kriteret e garës.
14-Rritja e pagave të pedagogëve.