VIDEO/ Nis mosbindja civile, bllokohen 5 akset kryesore në Tiranë. Pjesëmarrje e ulët
Partia Demokratike sikurse e kishte paralajmëruar, ka nisur mosbindjen civile në Tiranë. Mbështetësit e opozitës janë shpërndarë në 5 nyjet kryesore rrugore të kryeqytetit duke paralizuar kështu qarkullimin. Skenari duket i ngjashëm me protestat e mëparshme të zhvilluara prej 7 tetorit e deri tani.
Rrugët e bllokuara janë rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Wilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës. Kjo mosbindje civile e opozitës e cila pritet të zgjasë 3 orë po zhvillohet në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijojnë me intensitet prej disa orësh.
Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklarate ku bën të ditur se PD ka bërë kërkesë për 3 orë tubim, nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Në reagim, policia thekson se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni, thekson policia duke sugjeruar ndërkohë rrugë alternative për qytetarët.
Gazment Bardhi: Jemi paqësor, na keni rrethuar. Ju lutem mos provokoni protestuesit, kemi të drejtën për të protestuar Mos ndërhyni, kam të drejtë kushtetuese!
Policia: Keni bllokuar rrugën, po shkelni ligjin, lirojeni!
Bardhi: Rrugën do ta bllokoj, nuk do ta bëj te ballkoni shtëpisë tuaj, nuk keni të drejtë të pengoni qytetarët. Është detyra juaj të merrni masa të devijoni trafikun. Garantoni lëvizjen e qytetarëve, merrni masat, ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë në raste tubimi nuk merret leje, por njoftohet. Ne ju kemi njoftuar.
Policia: Nuk keni marrë leje për rrugën, po shkelni ligjin, duhet të lironi rrugën!
Bardhi: Nëse doni ndihmë për trafikun ju ndihmojmë ne. Unë po flas për ligj dhe uniformë, jeni me uniformë. Më thoni ku po e shkel ligjin. Devijoni trafikun më poshtë. Nuk kemi qëllim bllokimin e lirisë së qytetarëve. Ju garantoni tubim dhe lëvizjen e lirë, jemi paqësisht, s’kemi ndërmend për akte dhune. Respektoni Kushtetutën dhe Ligjin, ndaj mos ndërhyni. Nuk ka qytetarë të dorës së parë dhe dorës së dytë, ku disa kanë të drejtë dhe disa jo.
Policia: Duhet të lironi rrugën… (thirrje me megafon)
Luan Baçi: Mos fol me megafon, po bën gabim o burrë…!
Policia me megafon: Hapni rrugën, të nderuar qytetarë, po shkelni ligjin. Do zbatojmë ligjin, lironi rrugën.
Bardhi: Është e drejtë kushtetuese, zbatoni ligjin…