VIDEO/ Porti i Durrësit, PD: Grabitja më e madhe, rëndon tek xhepat e qytetarëve

Partia Demokratike e Durrësit ka denoncuar aferën e Portit të Durrësit. Viola Kapidani, sekretarja për marrëdhëniet me publikun, u ndal fillimisht në denoncimin e grabitjes së portit të Durrësit dhe dhurimin e tij investitorit Mohamed Alabbar.

Sipas demokratëve durrsakë, në tre vitet e ardhshme shqiptarëve do tu merren 400 mln euro taksa për të ndërtuar portin e ri, që fillimisht ishte premtuar se do të ndërtohej nga privati.

”Porti i Durrësit, një port mijëra-vjeçar dhe një nga më të vjetrit në Europë, i shtrirë në Adriatik dhe më i madhi në vend me një sipërfaqe mbi 1.4 milionë m² dhe vlerë prej 3.8 miliardë eurosh, iu “dhurua” investitorit Mohamed Alabbar nga Edi Rama dhe Emiriana Sako, në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj të shtetit shqiptar. Në realitet, përfituesi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje është vetë Edi Rama”,-tha Kapidani.

Deklarata e plotë

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Partia Demokratike, Dega Durrës, dënon ashpër mega-aferën e Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë si grabitjen më të madhe që i është bërë taksapaguesve shqiptarë në tërësi dhe qytetarëve durrsakë në veçanti nga qeveria e Edi Ramës. Porti i Durrësit, një port mijëra-vjeçar dhe një nga më të vjetrit në Europë, i shtrirë në Adriatik dhe më i madhi në vend me një sipërfaqe mbi 1.4 milionë m² dhe vlerë prej 3.8 miliardë eurosh, iu “dhurua” investitorit Mohamed Alabbar nga Edi Rama dhe Emiriana Sako, në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj të shtetit shqiptar. Në realitet, përfituesi i vërtetë i kësaj marrëveshjeje është vetë Edi Rama.

Fillimisht, Edi Rama u zotua publikisht se projekti do të financohej vetëm nga sektori privat dhe se shqiptarët nuk do të paguanin asnjë qindarkë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano, Rama ndryshoi ligjin e prokurimeve dhe, në kundërshtim me ligjin, porositi një projekt që kap vlera midis 1.3 dhe 2 miliardë eurosh. Vetëm për tre vitet e ardhshme, taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi deri në Konispol, do t’u merren mbi 400 milionë euro. Për më tepër, tenderi për ndërtimin e këtij porti ka dështuar, pasi asnjë kompani nuk ka treguar interes. Kjo është një nga barrët më të rënda financiare që qeveria e Edi Ramës ka vendosur ndonjëherë mbi qytetarët shqiptarë.

Me mbylljen e portit ekzistues, do të ndërpriten arteriet strategjike të transportit që e bëjnë sot Portin e Durrësit një nyje kyçe në rajon. Por, porti nuk është e vetmja aferë që rëndon në xhepat e qytetarëve durrsak. Të mos harrojmë disa prej aferave më flagrante të kësaj qeverisjeje:

• Ekoparku në Spitallë: Një aferë ku familjarët e Edi Ramës, pa asnjë procedurë konkurruese, kanë përfituar 11 milionë euro.
• Transportimi i mbetjeve: Bashkia Durrës paguan mbi 40 euro/ton për transportimin e mbetjeve në inceneratorin e Tiranës, një objekt që nuk ekziston, duke konsumuar 40% të buxhetit të bashkisë.
• Veliera: Një projekt korruptiv në zemër të qytetit, i nisur nga Vangjush Dako, i cili ka përpirë dyfishin e fondit të miratuar dhe, pas 10 vitesh, ende nuk ka përfunduar.
Partia Demokratike, Dega Durrës, dënon me ashpërsi këto mega-afera dhe, në këtë ditë simbolike kundër korrupsionit, angazhohet:
• Të denoncojë çdo aferë korruptive dhe shkelje të ligjit nga kjo qeveri.
• Të promovojë një qeverisje të ndershme dhe transparente, duke mbrojtur fondet publike dhe interesat e qytetarëve.

Këto denoncime nuk janë bërë vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Tre rezoluta të njëpasnjëshme kanë cilësuar qeverinë e Edi Ramës si më të korruptuarën në Europë. E ardhmja e Shqipërisë varet nga aftësia për të sfiduar dhe luftuar korrupsionin. Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ne zotohemi se, sapo Shqipëria të qeveriset nga Partia Demokratike, do të ndërtojmë një të ardhme të bazuar në ndershmëri dhe transparencë. Faleminderit!

SHKARKO APP