VIDEO/ PS çel fushatën veç me 61 kandidatët, Rama: Bilanci jonë është pozitiv me të gjitha kontratat zgjedhore
Në një shesh të madh si ai i ”Skëndërbeut” veç me 61 kandidatët dhe deputetët, kështu e çel Partia Socialiste fushatën zgjedhore për 14 Majin. Kryesocialisti Edi Rama, në fjalën e tij argumentoi pse vota e 14 Majit duhet të shkojë për socialistët. Slogani i PS-së është ”Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.
”Këto ditë nis zyrtarisht fushata jonë e 9-të që kur unë drejtoj PS, kemi fituar 7 nga 8 palë zgjedhje, kemi humbur vetëm një në 2009, që më shumë se sa e humbëm, na e morën, sidoqoftë, të fitosh zgjedhjet është një gjë, ndërsa një gjë tjetër është ta kthesh fitoren në vlerë, për komunitetin, jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë. Sot jemi një vend krejt tjetër në sytë e botës, na janë besuar role parësore si në OKB, sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë, janë miqësore, aktive, takimet e nivelit të lartë janë pjesë e punës si faktor me peshë në rajon, ky aspekt i transformimit ka një rëndësi për vendin, se do të thotë jo vetëm ndryshim, por ndryshim i botës së jashtme ndaj nesh dhe kjo sjellë më shumë vëmendje dhe interes, si një destinacion për të punuar, investuar dhe jetuar. Rritja e paimagjinueshme e turistëve është vetëm paralajmërimi kuptimplotë e një të ardhme me shpresë, aty e ka bazën transformimi si dita me natën. Zgjedhjet kanë shumë rëndësi për një vend, sesa çfarë gabimisht mendojnë shumë prej zgjedhësve duke mos dhënë votën, sa shumë punë nuk do ishin bërë pa votën e PS, dhe sa shumë dëme do ishin shmangur pa votën e PD”,-tha Rama.
Kryeministri komentoi edhe opozitën që do të ketë përballë. Ai theksoi se Berisha dhe Meta i duan bashkitë për t’u mbrojtur nga drejtësia që vonon, por nuk harron.
“Duan të marrin peng sa më shumë bashki, sa më shumë Shqipëri, për t’u mbrojtur nga drejtësia që votonin, por që ka më pak shans që të harrojë. Unë sot nuk kam asnjë këshillë më të mirë për t’iu dhënë demokratëve për hir të asaj që ishte PD, sesa t’ju them mos e lidhni fatin me qytetet tuaja, fatin e pastrimit, të qendrave shëndetësore, të hapësirave të gjelbrat me dy hije të se kaluarës që rrezikojnë t’ju ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar, t’ju hedhë në erë urat e bashkëpunimit. Ua them demokratëve në të gjithë Shqipërinë, sidomos në Shkodër dhe zona të tjerët, se në pjesën dërrmuese demokratët dhe kur gabojnë i ndihmojnë socialistët t’i mbajnë në rrugën e duhur. Me o se pa ju Shqipëria do ecë përpara”.