VIDEO/ Rama: Balta e propagandës kundër UÇK-së ka prekur edhe organizatën prestigjioze si Human Rights Watch
Kryeministri Edi Rama, ka publikuar sot një material të përgatitur nga gazetari Berat Buzhala, mbi gjyqin që po zhvillohet kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë. Rama duke komentuar përplasjen e ashpër të avokatit Ben Emmersonit dhe dëshmitarit Fred Abrahamsit në Hagë, thotë se ky gjyq po kthehet në një barrë në ndërgjegjen e botës demokratike.
“MOS E HUMBNI KËTË video nëse jeni të interesuar të shihni e të dëgjoni se si balta e propagandës kundër UÇK-së ka ngjitur deri në raportin e një organizate prestigjioze si Human Rights Watch. Ky është një moment i gjyqit kundër Presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë, ku ndjehesh realisht keq për ideatorët e kësaj trupe speciale, e cila deri më tash special ka vetëm misionin e saj të pamundur të prokurorëve të saj, për të provuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë kriminelë lufte”, thekson Kryeministri Rama
Në videon e publikuar, gazetari Berat Buzhala ka komentuar debatin në Gjykatën Speciale në mes Ben Emmersonit, avokat i Kadri Veselit, dhe Fred Abrahamsit, që shkroi një raport për organizatën Human Rights Watch. Buzhala ka vlerësuar se java nuk ka filluar mirë për Prokurorinë e Specializuar në Hagë. Sipas Buzhalës, Emmerson e “përdhunoi moralisht” Abrahamsin.